FOKUS – Rifillojnë sulmet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

by admin
Spread the love

TIRANË, 14 shtator/ATA/ – Pavarësisht pretendimeve të mëparshme për një armëpushim, luftimet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë vazhduar edhe sot, një ditë pas një përleshjeje që shkaktoi vdekjen e 100 ushtarëve, sipas ministrive të Mbrojtjes të Azerbajxhanit dhe Armenisë, raportoi CNN.

Në një deklaratë të martën, Rusia njoftoi se kishte ndërmjetësuar një armëpushim midis Armenisë dhe Azerbajxhanit e cila kishte rezultuar jetëshkurtër.

“Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Rusia dështoi pothuajse menjëherë”, sipas koordinatorit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për komunikimet strategjike, John Kirby.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë akuzoi sërish Azerbajxhanin për sulme, duke pretenduar se artileri dhe armë të zjarrit të kalibrit të madh ishin përdorur në tre qytete armene, duke përfshirë Jermukun pranë kufirit midis dy vendeve.

Nëse luftimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit vazhdojnë, kjo mund të vërë në rrezik tubacionet kryesore të naftës dhe gazit, duke përkeqësuar furnizimet me energji tashmë të ndërprera për shkak të luftës në Ukrainë.

Për dekada me rradhë, Armenia dhe Azerbajxhani janë përfshirë në një mosmarrëveshje për rajonin e Nagorno-Karabakh, një zonë pa dalje në det midis Evropës Lindore dhe Azisë Perëndimore që është e populluar dhe kontrollohej nga armenë etnikë, por e vendosur në territorin e Azerbajxhanit.

Trazirat në rajon datojnë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, kur rajoni, i mbështetur nga Armenia, shpalli pavarësinë nga Azerbajxhani. Azerbajxhani ka pretenduar prej kohësh se do të rimarrë territorin, i cili njihet ndërkombëtarisht si Azerbajxhani./  /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like