FOKUS – Polonia kujton 1,1 milionë viktimat e Aushvicit

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 28 janar /ATSH-PAP/ – Të mbijetuarit e Holokaustit u kthyen në Aushvic, kampi më famëkeq i vdekjes i Gjermanisë naziste, për të marrë pjesë në përkujtimet e 77-vjetorit të çlirimit të tij.

Për shkak të pandemisë, vetëm një grup i vogël, kryesisht të mbijetuar, morën pjesë në përkujtimore.

Ish-e burgosura e Aushvicit, Halina Birenbaum, paralajmëroi se ”interesi për krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit po zbehet”.

”Holokausti po bëhet gjithnjë e më pak interesant për njerëzimin në një botë të shënuar nga konflikte, sëmundje të reja vdekjeprurëse dhe pandemi”, theksoi ajo.

Në fjalën e tij, Piotr Cywinski, kreu i Muzeut të Aushvicit që ndodhet në vendin e kampit, tha se motoja “Kurrë më” nuk dëgjohet më me zë të lartë ”ashtu siç ishte dëgjuar më parë në kamp”.

”Dhe kjo nuk ishte një ftesë për kujtim të përjetshëm, por për reflektim, kjo ishte një moto për kohët që do të vinin”, theksoi ai.

Në Twitter, presidenti polak Andrzej Duda, postoi një foto të tij duke mbajtur një copë letër  ku shkruhej “We Remember” (”Ne kujtojmë”).

Gjermanët themeluan kampin e Aushvicit në vitin 1940, fillimisht për burgosjen e polakëve.

Aushvic II-Birkenau u hap dy vjet më vonë dhe u bë vendi kryesor për shfarosjen masive të hebrenjve.

Gjermanët vranë të paktën 1,1 milionë njerëz në Aushvic, kryesisht hebrenj, por edhe polakë, romë dhe robër lufte sovjetikë.

U çlirua nga Ushtria e Kuqe më 27 janar 1945.

Në vitin 1947 kampi u shpall monument kombëtar./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like