FOKUS – Politika botërore reagon për vdekjen e Alexei Navalnyt

by admin
Spread the love

TIRANË, 16 shkurt /ATSH-DPA-ANSA-AFP/ – Politika botërore reagoi sot për vdekjen e disidentit më të njohur rus dhe kundërshtari më i madh i presidentit rus, Vladimir Putin.

  • Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se “Navalny u vra dhe Putini do të duhet të japë llogari”.

“Putini vret gjithmonë. Ai është personifikimi i kësaj lufte dhe ai nuk do të ndalet. Ne mund ta ndalojmë atë vetëm së bashku”, shtoi Zelensky.

  • Kreu i diplomacisë britanike, David Cameron paralajmëroi sot se presidenti rus Vladimir Putin duhet të jetë “përgjegjës” për vdekjen në burg të Alexei Navalnyt.

“Navalny luftoi me guxim kundër korrupsionit. Rusia e Putinit sajoi akuza kundër tij, e helmoi, e dërgoi në një koloni penale në Arktik dhe tani ai ka vdekur tragjikisht”, tha Cameron.

  • Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez tha se ishte “i trishtuar” nga vdekja e kundërshtarit rus Alexei Navalny, “i burgosur padrejtësisht nga regjimi i Putinit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë”.

”Të gjitha ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e tij, si dhe për të gjithë ata në Rusi që mbrojnë vlerat demokratike dhe paguajnë një çmim të lartë për të”, tha ai në X.

  • Kryeministri holandez, Mark Rutte ka fajësuar Rusinë për vdekjen e figurës kryesore të opozitës Alexei Navalny.

“Është tregues i brutalitetit të pabesueshëm të regjimit rus”, postoi Rutte në X.

”Navalny luftoi për vlerat demokratike dhe kundër korrupsionit në regjimin rus”, shkroi Rutte.

”Ai duhej të paguante për luftën e tij me jetën e tij ndërsa ishte i ndaluar në kushtet më të rënda dhe çnjerëzore”, theksoi ai.

  • Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel fajësoi shtetin rus për vdekjen e figurës kryesore të opozitës Alexei Navalny.

“Ai ishte viktimë e pushtetit shtetëror represiv të Rusisë. Është e tmerrshme që një zë i guximshëm dhe i patrembur që u ngrit për vendin e tij u heshti duke përdorur metoda të tmerrshme”, tha Merkel.

  • Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky fajësoi Rusinë për vdekjen e politikanit kryesor opozitar Alexei Navalny në një qendër penale siberiane.

”Ai u burgos dhe u torturua deri në vdekje sepse ai kundërshtoi Putinin”, shkroi politikani në X.

Sipas ministrit 38-vjeçar, sjellja e Rusisë ndaj qytetarëve të saj është e njëjtë me politikën e saj të jashtme ndaj shteteve të tjera.

“Ai është zhvilluar në një gjendje të dhunshme që vret njerëz si Nemtsov apo tani Navalny që ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë”, postoi Lipavsky.

  • Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha sot se është ”thellësisht e shqetësuar dhe e pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Alexei Navalny”.

Në një postim në X, kreu i ekzekutivit të BE-së shkroi se “Putini nuk ka frikë asgjë më shumë se mospajtimin nga njerëzit e tij”.

Von der Leyen tha se vdekja e aktivistit të opozitës ruse është “një kujtesë e zymtë e asaj që Putini dhe regjimi i tij kanë të bëjnë”.

”Le të bashkohemi në luftën tonë për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e atyre që guxojnë të ngrihen kundër autokracisë”, shkroi ajo.

  • Kancelari gjerman, Olaf Scholz reagoi me shqetësim ndaj raporteve për vdekjen në burg të politikanit kryesor të opozitës ruse, Alexei Navalny.

“Tani ne e dimë saktësisht se çfarë lloj regjimi është ky”, tha Scholz në Berlin, kur po takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Scholz kujtoi se si ishte takuar me Navalnyn në Berlin kur po shërohej nga një helmim fatal për të cilin Navalny fajësoi Kremlinin.

Ai tha se kishte biseduar me Navalnyn për guximin që do të duhej për t’u kthyer në Rusi.

“Dhe ai ndoshta tani e ka paguar këtë guxim me jetën e tij”, tha Scholz.

  • Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se ”Rusia është përgjegjëse për vdekjen e Navalnyt”.

”Vdekja e tij është një provë se sistemi i Putinit është i dobët dhe i kalbur”, theksoi ai.

Opozitari i njohur rus dhe kundërshtari numër një i Kremlinit, Alexei Navalny, vdiq sot në një burg të Arktikut, ku po vuante dënimin me 19 vjet burg, njoftuan shërbimet e burgut, FSIN.

”Më 16 shkurt 2024, në qendrën e vuajtjes së dënimit nr. 3, i burgosuri Navalny A.A. u ndje keq pas një shëtitje (…) po përcaktohen shkaqet e vdekjes”, tha në një njoftim për shtyp FSIN, i rajonit të Arktik, Iamal.

”Janë kryer të gjitha masat e nevojshme për reanimacion, por nuk kanë dhënë rezultat pozitiv. Mjekët e urgjencës kanë konstatuar vdekjen e pacientit. Po përcaktohen shkaqet e vdekjes”, shtohej në komunikatën për median.

Aktivisti 47-vjeçar po vuante një dënim me 19 vjet burg për “ekstremizëm” në një qendër të largët penale të Arktikut, në kushte shumë të vështira./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like