FOKUS – Mundësitë diplomatike “nuk janë shterur” për zgjidhjen e krizës Ukrainë-Rusi

by admin
Spread the love

MOSKË, 15 shkurt /ATSH-DPA/- Udhëheqësit gjermanë dhe rusë theksuan sot disponueshmërinë e tyre për të ndjekur një rrugë diplomatike për të zbutur krizën Ukrainë-Rusi, ndërsa zyrtarët perëndimorë mirëpritën pretendimet e Moskës për një tërheqje të pjesshme të trupave afër kufirit ukrainas.

Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi sot gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Moskë se mundësitë diplomatike “sigurisht nuk ishin shterur” kur bëhej fjalë për zgjidhjen e krizës.

“Ne jemi gati, së bashku me të gjithë partnerët dhe aleatët në BE dhe NATO për të diskutuar me Rusinë hapa konkrete për të përmirësuar sigurinë për të dyja palët”, tha ai në një konferencë për shtyp me presidentin rus Vladimir Putin pas bisedimeve në Kremlin.

Presidenti Putin tha se ishte i gatshëm për vazhdimin e bisedimeve me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara lidhur me kërkesat ruse për garancitë e sigurisë dhe, se blloku ushtarak perëndimor nuk do të zgjerohet më tej drejt lindjes.

“Për sa i përket çështjes nëse duam luftë në Evropë apo jo, sigurisht që jo”, tha udhëheqësi rus në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar.

Njoftimet ruse për një tërheqje të pjesshme të trupave afër kufirit ukrainas ishin një “shenjë e mirë”, tha Scholz, duke shpresuar se hapa të tillë do të ndërmerreshin në vijim.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të martën se kishte filluar tërheqjen e trupave të vendosura në jug dhe perëndim të vendit, pranë kufirit me Ukrainën, në bazat e tyre të përhershme, megjithëse pa dhënë detaje rreth numrit të tyre.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov theksoi se lëvizja e trupave nuk ishte rezultat i presionit të jashtëm, duke shtuar se manovrat do të zbatoheshin dhe përfundonin siç ishte planifikuar, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS. Nuk është ende e qartë se çfarë po ndryshon në terren pas njoftimit rus.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se “ne do të besojmë se ka një zbutje të krizës vetëm kur të shohim që trupat po largohen”. //a.i/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like