FOKUS – Mikelanxhelo nuk do ta kishte menduar kurrë këtë!

by admin
Spread the love

ROMË, 27 mars /ATSH-DPA/ – Mësuesja në shtetin amerikan të Floridas, e cila u detyrua të jepte dorëheqjen pasi shfaqi një imazh të statujës së Davidit të Mikelanxhelos, do të ftohet të vizitojë Firencen, qytetin italian që është shtëpia e origjinalit të famshëm.

Kryebashkiaku Dario Nardella shkroi në Twitter se kishte në plan të ftonte mësuesen, e quajtur në mediat amerikane si Hope Carrasquilla, drejtoreshë në një shkollë në Tallahassee, kryeqyteti i Floridës, për t’i bërë homazhe në emër të Firences.

“Të ngatërrosh artin me pornografinë është thjesht qesharake”, shkroi Nardella në Twitter.

Carrasquilla la postin e saj në shkollë pasi një prind u ankua se shfaqja e një imazhi të Davidit lakuriq ishte “pornografike”.

Bordi i shkollës i dha asaj zgjedhjen të jepte dorëheqjen ose të pushohej.

Carrasquilla i tha ”Huffington Post” se kishte pasur “një seri keqkomunikimesh” në lidhje me një letër që u duhej drejtuar prindërve duke i paralajmëruar ata se nxënësve do t’u tregohej arti i Rilindjes.

Drejtoresha e muzeut të Firences, ku qëndron Davidi, u shpreh i habitur.

“Kjo është absurde. Lakuriqësia nuk është e njëjtë me pornografinë”, tha Cecilie Hollberg për të përditshmen italiane ”La Repubblica”.

”Statuja e Davidit ishte simboli i Rilindjes, duke e vendosur njerëzimin në gjendjen e papërlyer të krijuar nga Zoti”, tha ajo.

Davidi ishte një figurë fetare.

“Për të krijuar një lidhje me pornografinë duhet të kesh një imagjinatë të shtrembëruar”, tha Hollberg.

Statuja e Davidit, e skalitur në mermer të bardhë midis viteve 1501 dhe 1504, është atraksioni më i famshëm turistik në qytetin mesjetar.

Ajo u zhvendos në muze në 1873 pasi kishte zbukuruar Palazzo Vecchio të qytetit për vite me radhë.

Skulptura tregon heroin e Testamentit të Vjetër me hobenë e tij gati për të kapur Goliathin gjigant./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like