FOKUS – Manovra ushtarake amerikano-filipinase mes tensioneve territoriale për Detin e Kinës Jugore

by admin
Spread the love

MANILA, 28 mars /ATSH-DPA/ – Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan sot manovra të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë në vendin e Azisë Juglindore, mes tensioneve të reja për Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore.

Këto manovra të koduara ”Balikatan” (”Sup më sup”) do të zhvillohen për 12 ditë në vende të ndryshme në Filipine, përfshirë ish-bazën detare të SHBA-së në Subic, përballë Detit të Kinës Jugore.

”Balikatan 2022′ është një mundësi e jashtëzakonshme stërvitore dhe synon të përmirësojë sigurinë dhe aftësitë tona mbrojtëse dhe gatishmërinë tonë për t’iu përgjigjur çdo krize”, tha gjeneralmajori Jay Bargeron, drejtori i stërvitjes ushtarake amerikane dhe komandanti i Divizionit të Tretë Detar të SHBA-së.

Gjithsej 5 100 trupa amerikane dhe 3 800 ushtarë filipinas janë të përfshirë në manovra, që do të fokusohen në sigurinë detare, operacionet amfibe, trajnimin e zjarrit të drejtpërdrejtë, operacionet urbane, operacionet e aviacionit, kundër terrorizmit, ndihmën humanitare dhe ndihmën në fatkeqësi.

Në prag të manovrave, roja bregdetare e Filipineve raportoi se një anije e rojes bregdetare kineze bëri një manovër të paligjshme, që e solli atë pranë përplasjes me një anije filipinase pranë Scarborough Shoal, në Detin e Kinës Jugore, më 2 mars.

”Incidenti ishte rasti i katërt i manovrimit në distancë të afërt nga anijet kineze në zonë që nga viti 2021”, sipas rojes bregdetare të Filipineve./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like