FOKUS – Johnson dënon mizoritë ruse ndërsa Britania e Madhe vendos sanksione të reja

by admin
Spread the love

LONDËR, 6 prill /ATSH-DPA/ Kryeministri britanik Boris Johnson tha se veprimet e forcave ruse në Ukrainë tregojnë një “gjenocid”, pas njoftimit të sanksioneve të reja gjithëpërfshirëse kundër regjimit në Moskë nga Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë perëndimorë.

Ministrja e Jashtme Liz Truss tha se Britania e Madhe do të ngrinte asetet e “Sberbank” dhe “Credit Bank” të Moskës, duke ndaluar të gjitha investimet e reja në Rusi dhe duke shënjestruar tetë oligarkë të tjerë.

Përpara njoftimit të strategjisë së qeverisë për sigurinë energjetike, Truss tha se Britania e Madhe do t’i japë fund të gjitha importeve të qymyrit dhe naftës ruse deri në fund të vitit.

Njoftimi përkoi me një lëvizje paralele kundër “Sberbank” nga SHBA-ja, e cila ka vendosur sanksione gjithashtu ndaj dy vajzave të Vladimir Putin, dhe anëtarëve të tjerë të elitës ruse.

Më herët, Komisioni Evropian paraqiti propozimet për një raund të pestë sanksionesh, duke përfshirë ndalimin e importeve të qymyrit, të cilat do të miratohen nga ambasadorët e BE-së.

Masat pasojnë një valë ndërkombëtare neverie dhe urrejtjeje për mizoritë e kryera nga forcat ruse në Bucha dhe qytete të tjera përreth Kievit, të cilat u zbuluan nga ukrainasit pasi rusët u tërhoqën.

Zyrtarët perëndimorë paralajmëruan se mizori të tilla mund të jenë përhapur gjithandej duke treguar klimën toksike të informacionit në Rusi mes thirrjeve për denazifikimin e Ukrainës. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like