FOKUS – Gjermania përjashton ndihmën shtesë për familjet që përballen me inflacionin në rritje

by admin
Spread the love

BERLIN, 23 dhjetor /ATSH-DPA/ – Megjithëse gjermanët po përballen me inflacionin në rritje, ministri gjerman i Financave, Christian Lindner ka përjashtuar mundësinë për t’i ofruar publikut një lehtësim shtesë, ndërsa theksoi ndihmën e dhënë deri më tani dhe deficitin buxhetor kombëtar.

“Qeveria gjermane kishte në dispozicion fondin prej 200 miliardë eurosh (212 miliardë dollarë) për kufizimet e çmimeve dhe ndihmën ndaj vështirësive ekonomike”, tha Lindner duke përjashtuar mundësinë e një pakete shtesë të ndihmës, për të lehtësuar krizën e inflacionit në rritje.

“Qeveria po siguron gjithashtu 50 miliardë euro për të reduktuar barrën tatimore për qytetarët deri në vitin 2024”, tha ai.

“Prandaj, ne kemi një deficit të madh financimi të qeverisë për vitin e ardhshëm. Kemi arritur në limite”, theksoi ai.

Lindner iu referua masave për të frenuar çmimet e energjisë, për të ndihmuar kompanitë dhe familjet të përballen me kostot e larta, ndërsa Gjermania i largohet varësisë nga gazi rus.

“Ne thjesht po varfërohemi kolektivisht. Prandaj duhet të forcojmë konkurrencën tonë në mënyrë që ekonomia të jetë në gjendje të paguajë paga më të larta, duke shitur produkte dhe shërbime me cilësi më të lartë”, theksoi ai.

“Ato të ardhura duhet të gjenerohen përpara se të shpërndahen”, shtoi Lindner. /a.i./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like