FOKUS – G7 mbështet të drejtën e Ukrainës për të rifituar territorin, premton më shumë mbështetje

by admin
Spread the love

KIEV, 11 tetor /ATSH-DPA/ – Vendet kryesore të industrializuara të Grupit të Shtatë (G7) riafirmuan mbështetjen e tyre për të drejtën e Ukrainës për të rimarrë të gjithë territorin e pushtuar nga Rusia dhe premtuan më shumë mbështetje, përfshirë armët, pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Ukraina ka të drejtën legjitime për të mbrojtur veten nga agresioni rus dhe për të rimarrë kontrollin e plotë të territorit të saj brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në një deklaratë nga G7 pas takimit.

Vendet e G7 kanë dënuar sulmet e fundit ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, si dhe aneksimin e fundit të paligjshëm të katër rajoneve në Ukrainë dhe pushtimin rus të termocentralit bërthamor Zaporizhzhya.

Ata dënuan deklarimet e fundit të presidentit rus Vladimir Putin dhe premtuan më shumë mbështetje për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore dhe do të qëndrojmë të vendosur me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim Ukrainën në përmbushjen e nevojave të saj për përgatitjen e dimrit”, thuhet në deklaratë.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like