FOKUS – Dhjetëra palestinezë të vrarë, ndërsa Izraeli vazhdon sulmet në Gaza

by admin
Spread the love

GAZA, 11 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite deklaroi se ka goditur rreth 250 objektiva militantë në të gjithë Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, ndërsa mjekët thonë se dhjetëra palestinezë janë vrarë në sulmet e fundit izraelite.

Të paktën 31 persona vdiqën të dielën kur një bombë shkatërroi një ndërtesë banimi në veri të Gazës, thanë punonjësit e shëndetësisë.

Në kampin e mbushur me njerëz të refugjatëve ”Jabalia”, po kryheshin kërkimet për njerëzit e bllokuar nën rrënojat e ndërtesës shumëkatëshe.

Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi tha se trupat e 45 personave të vrarë në sulmet ajrore dhe artilerie izraelite ishin dërguar në spitalin ”al-Aqsa” në qendër të Gazës që nga mbrëmja e së shtunës.

Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) nuk komentuan mbi shkatërrimin e ndërtesës dhe thanë se sulmet e tyre kishin në shënjestër depo armësh, boshte tunelesh dhe vende të tjera të lidhura me Hamasin.

IDF tha se avionët luftarakë, së bashku me trupat tokësore, shkatërruan një objekt komunikimi të Hamasit që ndodhej pranë një xhamie në brezin bregdetar jugor.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u bëri thirrje luftëtarëve të Hamasit që të dorëzojnë armët e tyre në një video të transmetuar të dielën në mbrëmje.

Netanyahu tha se “ditët e fundit, dhjetëra terroristë të Hamasit ishin dorëzuar në ushtrinë izraelite. Lufta do të vazhdojë, por ky është fillimi i fundit për Hamasin”./   /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like