FOKUS – Çmimet e naftës rriten sërish si pasojë e konfliktit ruso-ukrainas

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 21 mars /ATSH/ – Çmimet e naftës u rritën sërish sot pasi bisedimet Rusi-Ukrainë dukej se nuk dhanë asnjë shenjë përparimi dhe tregjet vazhduan të shqetësohen për furnizimet, shtuar këtu një thirrje nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë për të ulur kërkesën për naftë, sipas CNBC.

Nafta bruto u rrit me më shumë se 3% sot në mëngjes.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit 3,8% në 111,96 dollarë për fuçi.

Ndërsa nafta e papërpunuar e lehtë ishte 4% më e lartë në 108,90 dollarë në tregtimin elektronik në bursën tregtare të Nju Jorkut.

Çmimet e naftës kanë qenë të paqëndrueshme në javët e fundit, duke u ngjitur në nivele rekord në mars, përpara se të binin me më shumë se 20% javën e kaluar, për të arritur nën 100 dollarë.

Ato ndryshuan sërish në gjysmën e dytë të javës së kaluar për t’u ngritur mbi nivelin 100 dollarë për fuçi.

Në një plan prej 10 pikash, sugjerimet e IEA për të reduktuar kërkesën për naftë përfshinin reduktimin e kufijve të shpejtësisë për automjetet, punën nga shtëpia deri në tre ditë në javë dhe shmangien e udhëtimeve ajrore për biznes.

“Ne vlerësojmë se zbatimi i plotë i këtyre masave vetëm në ekonomitë e përparuara mund të ulë kërkesën për naftë me 2,7 milionë fuçi në ditë brenda katër muajve të ardhshëm, në krahasim me nivelet aktuale”, tha IEA.

Analistët thonë se rritja erdhi edhe për shkak se rebelët Houthi shënjestruan pika të ndryshme të naftës dhe gazit të kompanisë saudite ”Aramco” në të gjithë mbretërinë gjatë fundjavës. Një pjesë e prodhimit u ndërpre përkohësisht duke nxitur shqetësime në një treg tashmë të trazuar.

Ndërkaq, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka publikuar së fundmi raportin e marsit për tregjet e naftës ku theksohet se rritja e çmimeve të mallrave dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura kundër Rusisë do të frenojnë ndjeshëm rritjen ekonomike globale.

“Perspektiva e bllokimit në shkallë të gjerë të prodhimit rus të naftës po rrezikon të shkaktojë një tronditje globale të furnizimit me naftë”, thotë raporti.

Zyrtarët ukrainas dhe rusë janë takuar me ndërprerje për bisedimet e paqes, të cilat deri më tani nuk kanë arritur të përparojnë drejt lëshimeve kryesore.

Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksy ka bërë thirrje për një raund tjetër bisedimesh me Moskën.

“Nëse këto përpjekje dështojnë, kjo do të thotë se kjo është një luftë e tretë botërore”, i tha Zelensky analistit të CNN, Fareed Zakaria, në një intervistë që u transmetua dje./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like