FOKUS – Çmimet e naftës dhe arit rriten pas rinisjes së tensioneve në LM

by admin
Spread the love

LONDËR, 19 prill /ATSH/ – Çmimet e naftës dhe arit u rritën pasi zyrtarët amerikanë thanë se një raketë izraelite kishte goditur Iranin, shkruan BBC.

Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, u rrit 1,8% në 88 dollarë për fuçi, ndërsa ari për pak kohë iu afrua një niveli rekord përpara se të binte në gati 2,400 dollarë për ons.

Investitorët kanë vëzhguar nga afër reagimin e Izraelit ndaj sulmit të drejtpërdrejtë me dron dhe raketa të Iranit fundjavën e kaluar.

Ekziston frika se një përkeqësim i konfliktit në Lindjen e Mesme mund të prishë furnizimet me naftë.

Çmimet e naftës fillimisht u rritën me 3,5%.

Megjithatë, fitimet ranë pasi media shtetërore iraniane tha se nuk kishte “asnjë dëm në provincën Isfahan, ku ishin raportuar shpërthime’’.

Rritjet e mprehta dhe të qëndrueshme të çmimeve të naftës rrezikojnë të nxisin inflacionin. Vendet janë shumë të varura nga ky mall, i cili përdoret për të prodhuar lëndë djegëse si benzina dhe nafta.

Çmimet e karburantit dhe energjisë kanë qenë një nga faktorët kryesorë pas rritjes së kostos së jetesës në mbarë botën gjatë dy viteve të fundit.

Tensionet e rritura në Lindjen e Mesme kanë çuar në shqetësime për pasojat e mundshme për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit midis Omanit dhe Iranit.

Kjo është një rrugë e rëndësishme detare, pasi afërsisht 20% e furnizimit total të naftës në botë kalon përmes saj.

Anëtarët e kartelit të prodhimit të naftës OPEC – Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku, dërgojnë pjesën më të madhe të naftës që eksportojnë përmes ngushticës.

Sipas Administratës Amerikane të Informacionit të Energjisë, Irani është prodhuesi i shtatë më i madh i naftës në botë dhe anëtari i tretë më i madh i OPEC-ut./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like