FOKUS – Borrell: BE përparësi ndihmës ushtarake për Ukrainën

by admin
Spread the love

LUKSEMBURG, 11 prill /ATSH-DPA/ Prioriteti i Bashkimit Evropian duhet të jetë rritja e ndihmës ushtarake për Ukrainën përballë sulmit rus dhe jo vendosja e sanksioneve të reja, deklaroi sot shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Një përshkallëzim i tensioneve në rajonin separatist të Donbasit në Ukrainë do të ndodhë me ose pa sanksione”, tha Borrell në një konferencë për shtyp në Luksemburg pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Reduktimi i importeve të gazit nga Rusia nuk do ta ndalojë luftën e ushtrisë ruse… ajo që ka vërtet rëndësi është ndihma, është mbrojtja”, tha ai.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan sot për të diskutuar hapat e mëtejshme të bllokut lidhur me luftën në Ukrainë, duke përfshirë sanksionet e reja që shënjestrojnë importet e naftës ruse dhe një vendim për të dërguar një ndihmë ushtarake prej 500 milionë eurosh (544 milionë dollarë).

Borrell tha se paketa e tretë e ndihmës ushtarake nuk ishte miratuar ende pasi kërkonte arritjen e një marrëveshjeje mes parlamenteve kombëtare të vendeve anëtare të BE-së si dhe legjislaturës evropiane.

“Asnjë vendim nuk është marrë ende për arsye procedurale”, tha Borrell.

Borrell tha se zëvendësimi i naftës ishte më i lehtë sesa zëvendësimi i gazit, ndërsa theksoi vështirësitë që paraqet ky vendim për shtetet e ndryshme anëtare të BE-së.

Përpara takimit, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock mbështeti angazhimin e Berlinit për të hequr gradualisht importet ruse të energjisë, duke shtuar se BE-ja ka nevojë për një plan të përbashkët të koordinuar për të ndërprerë plotësisht lëndët djegëse fosile nga Rusia.

“Është e lehtë për disa shtete anëtare që nuk përdorin gazin rus të thonë se janë gati të mos e përdorin atë, por për të tjerat, të cilat janë shumë të varura, nuk është aq e lehtë”, tha Borrell.

“Nuk ka ende plane për ta bërë të detyrueshme ndalimin e importeve të energjisë ruse”, shtoi Borrel, duke theksuar rëndësinë e unitetit brenda BE-së për vendimet e sanksioneve.

Borrell theksoi gjithashtu se Rusia do të mbante përgjegjësi për krimet e pretenduara të luftës në Ukrainë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like