FOKUS – Biden në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Arabinë Saudite

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 15 qershor /ATSH-AA-DPA/ – Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Izraelin, Bregun Perëndimor dhe Arabinë Saudite në korrik.

”Në turneun i cili do të zgjasë nga 13 deri më 16 korrik, Biden do të bisedojë me dhjetëra kolegë nga i gjithë rajoni dhe më gjerë”, konfirmoi një zyrtar i paidentifikuar i administratës së Bidenit.

Stacioni i tij i parë do të jetë Izraeli dhe do të jetë vizita e tij e parë në këtë vend si president.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha më herët se Biden do të takohet me udhëheqësit izraelitë për të diskutuar sigurinë, prosperitetin dhe integrimin në rritje të Izraelit në rajonin më të gjerë.

Pas bisedimeve në Izrael, presidenti amerikan do të shkojë në Bregun Perëndimor të pushtuar, në Palestinë, ku do të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abbas dhe zyrtarë të tjerë palestinezë.

“Presidenti mezi pret të riafirmojë angazhimin e tij të përjetshëm për një zgjidhje me dy shtete dhe të diskutojë mënyrat për të ringjallur horizontin politik që mund të sigurojë masa të barabarta lirie, sigurie, prosperiteti dhe dinjiteti për izraelitët dhe palestinezët”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Pas vizitës në Bregun Perëndimor, Biden do të udhëtojë në Jeddah, Arabi Saudite, për të marrë pjesë në samitin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, plus Egjiptin, Irakun dhe Jordaninë (të njohur si GCC+3).

Jean-Pierre konfirmoi se Biden do të diskutojë një sërë çështjesh dypalëshe, rajonale dhe globale me kolegët e tij.

“Kjo përfshin mbështetjen për armëpushimin e ndërmjetësuar nga OKB-ja në Jemen, i cili ka çuar në periudhën më paqësore atje që nga fillimi i luftës shtatë vjet më parë”, tha zëdhënësja.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të udhëtojë në Arabinë Saudite në muajin korrik, ku pritet të zhvillojë një takim ballë për ballë me sundimtarin de fakto të mbretërisë, Princin e Kurorës Mohammed bin Salman, duke shkelur kështu premtimin e tij të fushatës presidenciale.

Princi i Kurorës shkaktoi pakënaqësi ndaj Uashingtonit gati katër vjet më parë, duke urdhëruar, sipas shërbimeve të sekrete amerikane, vrasjen e një gazetari disident dhe banor të Virxhinias.

Vizita e planifikuar e Biden në Xhedah përfaqëson një ndryshim pas premtimit të tij në fushatën presidenciale të vitit 2020, se do ta shpallte princin e kurorës “persona non grata” për shkak të urdhërimit të vrasjes së kolumnistit të “Washington Post” në vitin 2018, Jamal Khashoggi në një konsullatë saudite në Turqi./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like