FOKUS – BE: Të hiqet vetoja për procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 29 shkurt /ATSH/ – Parlamenti Evropian sapo ka miratuar një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), përmes së cilës ka kërkuar që ky proces të bëhet më efikas, duke përfshirë heqjen e përdorimit të vetos për vendet anëtare.

Rezoluta kërkon gjithashtu që BE të ketë një buxhet më efikas në mënyrë që të jetë në gjendje të përballojë zgjerimin me vendet e reja anëtare.

Rezoluta u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 deputetë votuan kundër dhe 71 abstenuan.

Bashkimi Evropian, aktualisht, për çdo vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, përfshirë procesin e zgjerimit, duhet të gjejë konsensus. Kjo ka çuar shpesh në bllokimin e vendimeve nga një shtet anëtar përmes një vetoje, edhe kur të gjithë të tjerët ishin në favor.

Kjo është rezoluta e fundit për procesin e zgjerimit që Parlamenti Evropian miraton në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja të bllokut do të mbahen në qershor.

Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit, ndërsa me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

Parlamenti Evropian gjithashtu mbështet integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së gjatë gjithë procesit të zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtarë formalë të bllokut., shkruan REL.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like