Fituesi i “Tripletës” drejt Juventusit, por e ëma e titullarit “ngin” bardhezinjtë

by admin
Spread the love

Juventusi është i dënuar që të hyjë në merkato në janar, për të afruar të paktën një mesfushor me çdo kusht dhe nuk po flasim për një lojtar sa për emër dhe për numër, pasi cilësitë që kanë humbur nga skualifikimet e Pol Pogbasë dhe Nikolo Faxholit, janë ndër më të rëndësishmet për sa i përket aspektit teknik në këtë repart. Emrat tashmë dihen, por sido që të jetë, tratativat nuk do të jenë të lehta, edhe pse nga Anglia vijnë lajme të mirë dhe optimiste.

KALVIN FILIPS – Tratativa më e shtruar për momentin është ajo që të dërgon te një prej lojtarëve të Mançester Sitit. Bëhet fjalë për Kalvin Filips, i cili edhe pse u ble me shumë bujë në korrik 2022 nga Lids Junajtid, për një shifër prej 50 milionë eurosh, 28-vjeçari papritur ka humbur gjurmët në “Etihad”.

Guardiola nga ana e tij, nuk humbet rast për të nënvizuar se nuk ka ndërmend që të bëjë paqe dhe nuk kërkon asnjë kontakt me Filipsin, duke e bërë të qartë largimin e tij. Dhe pse jo, në konferencën e fundit për shtyp, ku i nënvizuan për interesimin e Juves për të, ai u shpreh ftohtë: “As që e kam parë me sy Filipsin. Mund të bëjë çfarë të jetë më e mira për të”.

Shkurt, një ftesë e hapur e trajnerit të Sitit ndaj Juves që të shpejtojnë bisedimet, ndonëse në Torino pranojnë vetëm me opsionin e huazimit.

FILIPS

GEORGI SUDAKOV – Emri i dytë është i përzgjedhuri i drejtorit sportiv, Kristiano Xhuntoli. Georgi Sudakov është talenti i ri i futbollit ukrainas dhe Shahtjor Donetsku pasi e ka vënë në vitrinë, patjetër që kërkon të fitojë sa më shumë që të jetë e mundur nga shitja e tij.

sudakov

Baza e bisedimeve nis nga 20 milionë euro dhe Juventusi për këtë shifër është gati që të rrezikojë, sepse Xhuntoli sheh tek ai një Kvaratskhelia të ri dhe në janar ka planifikuar një sulm serioz për Sudakovin, i cili mund të luajë “alla Pirlo”, si organizator pas dy sulmuesve, por edhe si mesfushor i majtë. Shkurt, ai lloj lojtari që mund të plotësonte boshllëqet në mesfushën e Juventusit.

TREMB RABIO – Por mes lajmeve optimiste vjen edhe një ngricë e frikshme, në momentin më të bukur për tifozët.

rabio

Pavarësisht lajmeve të ditëve të fundit nga ana e drejtuesve bardhezi se janë gati që të rinovojnë me Adrien Rabio, papritur, si një rrufe në qiell të hapur ka ndërhyrë e ëma e tij menaxhere, Veronik:

“Nuk e di se nga burojnë këto lajme, apo pse disa persona lëshojnë shpresa e fjalë të kota nëpër media. E vërteta është se ka zero bisedime për rinovimin me Juventusin dhe askush s’na ka bërë asnjë telefonatë për këtë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se jemi në tratativa me klube të tjera, por askush nuk ka pse të dalë dhe të shpërndajë informacione boshe”, ishte reagimi i ashpër i të ëmës së Rabiosë.

Kështu që, tani drejtuesit e Juves bëjnë mirë që të zbusin situatën dhe të shpejtojnë për rinovimin.

PANORAMASPORT.AL

You may also like