Fitorja e Orban nuk është modeli që i shërben opozitës – Lajme

by admin
Spread the love

Një pjesë e qarqeve opozitare, kryesisht me frymëzim berishist, janë gdhirë të entuziazmuar nga fitorja e mandatit të katërt të Viktor Orban, në zgjedhjet e përgjithshme në Hungari. Sipas steriotipit të thjeshtëzuar në kokat e tyre, ky është ngadhënjimi spektakolar i një konservatori, i cili shquhet tash e sa vjet për betejën e tij kundër milionerit spekulant të bursave, Xhorxh Soros.
Një dozë optimizmi i ka dhënë këtyre “demokratëve” edhe mesazhi i liderit historik, i cili në një status përshëndeti fitoren e shkëlqyer të njërit prej miqve më të mëdhenj të PD-së.

Ndonëse është fakt që Berisha ka një marëdhënie personale me kryeministrin hungarez, ndonëse ai ka marrë prej tij sinjale mbështetjeje edhe pas shpalljes non grata, duke i premtuar se do ti gjendet qoftë dhe në ditën më të keqe, sikurse bëri me Nikolla Gruevskin, kjo është e pamjaftueshme që opozita jonë të ekzaltojë modelin e iliberal të Orbanit. Askush nuk duhet të gënjehet nga fjalët që lideri i Fidesz tha para turmave pas fitores duke e quajtur atë si një triumf të trefishtë, ndaj mediave ndërkombëtare, miliardave të Sorosit dhe burokratëve të Brukselit.

Në mjedisin shqiptar, profili i Viktor Orbanit është shumë më i ngjashëm me atë të Edi Ramës. Dhe kjo, jo sepse nga marëdhënia personale mes të dyve kanë ardhur në Tiranë investime politike, tejet të afërta me liderin e fortë të Budapestit, por mbi të gjitha për mënyrën sesi ai e mban pushtetin dhe si e kontrollon atë.

Këtë herë vëzhguesit e zgjedhjeve të 3 prillit, folën për shitblerje të votës, për ndryshimin e njëanshëm të ligjit elerktoral që i jep partisë në pushtet minimumi 5% avantazh në tavolinë, për një pabarazi financiare mes fushatës të pushtetit dhe asaj të opozitës, për një mbulim mediatik që nuk është i pranueshëm në një rend demokratik. Po të zbresim deri në detaje, raportimet nga terreni folën për dukuri që shqiptarët i njohin shumë mirë: transportim i votuesve me atobuzë, dhurim racionesh mishi në provinca e deri tek pabarazia mes  billboard-eve, 200 mijë kundrejt 20 mijëve në favor të shumicës qeveritare.
Dhe të gjitha këto e kanë një shpjegim. Prej 12 vjetësh në pushtet, lideri i fortë i Budapestit, ka ndërtuar një mjedis autoritar duke sulmuar drejtësinë, duke marrë kontrollin e mediave të mëdha, përmes ndryshimit të pronësisë dhe duke shkatërruar shoqërinë civile.
Në këtë kuptim fitorja e Viktor Orbanit është shumë e ngjashme me atë të Aleksandar Vuçiçit, po të njëjtën ditë në zgjedhjet serbe dhe të dyja këto së bashku, kanë të njëjtën filozofi dhe përdorin të njëjtat metoda si ato të Edi Ramës në 25 prill.

Pavarësisht se Orban është konvertuar në një anti Sorosian të thekur, pavarësisht se ai ekzalton sovranizmin përpara ndërhyrjeve brutale të të huajve, ai nuk mund të shndërohet në shembull për një opozitë që do të përballet me një regjim autoritar. Opozita në Shqipëri më shumë i ngjan asaj të rivalit të Orbanit, ekonomistit 49 vjeçar, Marki- Zay, të cilit gjatë gjithë fushatës iu lanë vetëm 5 minuta kohë në televizionin publik. Në garën kundër Orbanit ai denoncoi zhvillimin e zgjedhjeve në mungesë të një sistemi demokratik dhe manipulimet e shumta.

Pra, pikë së pari, nga pikpamja morale, PD e “rithemeluar” nuk mund të ketë si model një njeri që qëndron në pushtet në vendin e tij, me të gjitha mëkatet që ajo përbetohet se do të luftojë këtu tek ne. Por edhe nga ana pragmatike, llogaritë i dalin keq. Shembuj si ato të Orbanit brenda BE-së dhe të Vuçiçit në rajonin tonë, vetëm banalizojnë në skenën ndërkombëtare, atë që Rama bën në Shqipëri. Para kërcënimit të tyre, autokrati shqiptar duket edhe më i pa përfillshëm edhe më i pa rrezikshëm.
Prandaj, pavarësisht nga raporti personal me Berishën, pavarësisht nga demagogjia e vet konservatore dhe anti sorosiane, fitorja e Orbanit i shërben më shumë regjimit të Tiranës, sesa atyre që kërkojnë të sfidojnë makinerinë që atë e mban në pushtet.

Kjo është e vërteta që duhet ti thuhet opozitarëve këtu, përpara se tu hidhet hi syve me triumfin e shkëlqyer të një aleati të tyre. Jo, së paku në këtë moment, Orbani nuk është miku i demokratëve, për sa kohë ata pretendojnë se janë në betejë me një regjim të ngjashëm.

©Lajme

You may also like