Figura ndërkombëtare dhe shqiptarë që ia kushtuan jetën të drejtave të njeriut

by admin
Spread the love

Më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Në përkujtim të kësaj çdo vit festohet edhe Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë deklaratë spikat universaliteti, karakteri i pandashëm dhe i patjetërsueshëm i të drejtave dhe lirive, i standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut, legjislacioni ndërkombëtar i të drejtave të njeriut, të drejtat e trashëguara dhe institucionet dhe procedurat për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ani pse është miratuar kjo deklaratë ajo në periudha të ndryshme nuk është respektuar nga shumë njerëz dhe liderë shtetërorë. Kështu shumë individë për të ndryshuar sistemin e mos respektimit të të drejtave të njeriut kanë ngritur zërin e tyre kundër sistemeve që i shtypnin.

Disa nga fytyrat më eminente për luftimin e respektimit të të drejtave të njeriut në botë janë si, më poshtë:

Eleanor Roosevelt
Kryetare e Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Eleanor Roosevelt, ishte forca shtytëse në krijimin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e vitit 1948, e cila mbeti përgjithmonë trashëgimia e saj.

Ajo ishte zonjë e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ishte e martuar me presidentin amerikan, Franklin Delano Roosevelt. Qysh atëherë njihej për aktivizimin e saj për të drejtat e njeriut dhe për çështjet e drejtësisë sociale. Ajo luftonte edhe për të drejtat e grave.

Roosvelt njihet për thënien “Bëj atë që mendon se është e drejtë sepse gjithsesi do të kritikohesh. Do të jesh i mallkuar nëse e bën, dhe i mallkuar nëse nuk e bën”.

Mahatma Gandhi
Mohandas Karamchand Gandhi, njihet si një nga udhëheqësit më të mëdhenj politikë dhe shpirtëror të shekullit të njëzetë. Ai në Indi njihet si babai i kombit, ai ishte pionier dhe praktikoi parimin e Satyagraha, atë të rezistencës ndaj tiranisë në formë paqësore.

Ai kishte drejtuar fushata mbarëkombëtare për zvogëlimin e varfërisë, zgjerimin e respektimit të të drejtave të grave, ndërtimin e harmonisë fetare dhe etnike dhe eliminimin e padrejtësive të sistemit të kastës, Gandhi zbatoi në mënyrë supreme parimet e mosbindjes civile jo të dhunshme, duke luajtur një rol kyç në çlirimin e Indisë nga dominimi i huaj. Ai u burgos shpesh për veprimet e tij, ndonjëherë për vite me radhë, por ai ia arriti qëllimit në vitin 1947, kur India fitoi pavarësinë e saj nga Britania.

César Chávez

Ai ishte punëtor ferme, lider i punës dhe aktivist për të drejtat civile, Chavez solli kushte më të mira për punëtorët e bujqësisë.

I lindur në fermën e familjes së tij pranë Yuma, Arizona, Chavez ishte dëshmitar i kushteve të vështira që duruan punëtorët e fermave. Kështu për vite me radhë ai punoi për përmirësimin e të drejtavë të punëtorëve në Amerikë.

Për angazhimin e tij ndaj drejtësisë sociale dhe përkushtimin e tij të përjetshëm për të përmirësuar jetën e të tjerëve, Chavez u njoh pas vdekjes me nderimin më të lartë civil, Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Nelson Mandela

Mandela njihet si kampioni i të drejtave të njeriut, ishte njeri i përkushtimit për lirinë e shumë njerëzve në mbarë botën.

Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Në vitin 1962, Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë së Afrikës së Jugut. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Dy vjet më vonë ai u dënua me burgim të përjetshëm në ishullin Robben pranë brigjeve të Kejptaunit. Mandela kaloi 18 vjet në burgun famëkeq, duke refuzuar një ofertë të qeverisë për lirimin e tij, nëse hiqte dorë nga lufta e armatosur e Kongresit Kombëtar Afrikan. Ai doli nga burgu më 1990, kur qeveria e bardhë e presidentit Frederik de Klerk legalizoi të gjitha partitë politike dhe liroi shumicën e të burgosurve politikë.

Në vitin 1991, Mandela u zgjodh kryetar i Kongresit Kombëtar Afrikan, ndërsa më 1994, kur Kongresi fitoi zgjedhjet e para shumëracore, ai u bë presidenti i parë zezak i vendit, në moshën 75-vjeçare.

Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai e ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

Dr. Martin Luther King, Jr
Luther King ishte aktivisti i parë afrikano-amerikan për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai kishte aftësi të jashtëzakonshme oratorike dhe guximi personal, ato i tërhoqën për herë të parë vëmendjen kombëtare në vitin 1955.

Ai u arrestua disa herë nga shteti amerikanë në protestat që i organizonte.

King shkroi, foli dhe organizoi protesta jo të dhunshme dhe demonstrata masive për të tërhequr vëmendjen ndaj diskriminimit racor dhe për të kërkuar legjislacionin për të drejtat civile për të mbrojtur të drejtat e afrikano-amerikanëve.

Në vitin 1964, Martin Luther King u dha Çmimi Nobel për Paqe për arritjet e tij në demokratizimin e shoqërisë amerikane, transmeton Klankosova.tv.

Pos tyre fytyra eminente për të drejtat e njeriut kishte edhe në trojet shqiptare një ndër ata janë Nëna Tereza dhe Adem Demaçi.

Nëna Tereza

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.

Nënë Tereza për shumë vjet kishe shërbyer vullnetarisht në Indi duke ndihmuar dhe duke luftuar për njerëzit e varfër.

Ajo njihet për thënien“Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.”

Në 1982, në kulmin e Rrethimit të Beirutit, Nënë Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm ndërmjet ushtrisë izraelite dhe guerilëve palestinez. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi përmes zonës së luftës deri tek spitali I shkatërruar për të zhvendosur pacientët e rinj.

Kur Evropa Lindore pati një rritje në sinqeritet në fund të viteve 1980, ajo i zgjeroi përpjekjet e saj në vendet komuniste që më parë kanë refuzuar Misionarët e Bamirësisë, duke u përfshirë në shumë projekte. Ajo nuk u tremb nga kritikat për qëndrimin e saj kundër abortit dhe divorcit duke thënë, “ Pavarësisht kush thotë cçarë, ti duhet ta pranosh atë me një buzëqeshje dhe të bësh punën tënde.” Ajo vizitoi Republiken Sovietike të Armenisë pas tërmetit të vitit 1988, dhe u takua me Nikolai Ryzhkov, Kryetari i Këshillit të Ministrave.

Adem Demaçi

Adem Demaçi njihet si Martin Luter Kingu shqiptar. Ai ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri ndërroi jetë më 26 korrik 2018, në moshën 82 vjeçare.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë, ku edhe pasi u lirua menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

You may also like