Festojnë të gjithë në Torino, Milinkovic-Savic i jep Europën Lazios

by admin
Spread the love

Juventusi ka përcjellë me duartrokitje Giorgio Chiellini dhe Paulo Dybala, në një ndeshje që mund të ishte mbyllur me festë vetëm të bardhezinjtë. Nuk ndodhi kështu, pasi festoi edhe Lazio. Dueli përfundoi 2-2 dhe skuadra e Maurizio Sarri festoi kualifikimin në Europa League, matematikisht, pasi në frymën e fundit barazoi Milinkovic-Savic.

Loja nisi e vrullshme dhe Lazio pas pesë minutash iu afrua shumë golit me anë të Cataldi, i cili u ndal nga traversa. Juventusi në krahun tjetër ishte pragmatist, si zakonisht me Allegrin në stol. Dhjetë minuta iu deshën për ta zhbllokuar ndeshjen.

Dusan Vlahovic, me një goditje me kokë, nuk fali pas krosimit të Morata dhe festan në “Allianz Stadium” nisi. Pasi kaluan 17 minuta lojë, simbolikë e 17 sezoneve të Giorgio Chiellini me fanellën bardhezi, kapiteni ka fushën dhe bëri rrethin për t’u përshëndetur me tifozët.

Juventusi i tij ishte në epërsi, ndërkohë që në vazhdim Lazio vazhdonte të ishte këmbëngulëse për të barazuar. Lazzari, Felipe Anderson në disa raste dhe Luis Alberto dhanë sinjale, por që nuk mjaftuan.

Skuadra e Allegri goditi sërish, këtë herë me Morata që në minutën e 35-të me një goditje perfektë e shtangu portierin Strakosha. Cataldi, që e kishte nisur rrezikshëm, u mundua në fundin e pjesës së parë të shënonte, por e gjeti në gatishmëri Perin.

Kryeqytetasit nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin dhe pjesën e dytë e nisën me gol. Pas një goditjeje këndi, Patric me kokë e çoi topin në rrjetë dhe ndeshja u hap. Juventusi në vazhdim nisi të mbrohej mirë dhe të linte pak hapësira, ndërkohë që në minutën e 70-të iu afrua edhe golit të qetësisë me Moise Kean.

Me një goditje dënimi Cataldi u mundua të vinte baraspeshën, por portieri i Juventusit ishte në gatishmëri. Lazios i duhej një pikë për të siguruar kualifikimin në Europa League dhe atëherë kur nuk pritej ia doli të shënonte me Milinkovic-Savic në minutën e fundit shtesë. Festë te Lazio, ndërkohë që në kampin bardhezi të gjithë e kishin mendjen të përshëndeteshin me Dybala e Chiellini.

SERIE A – JAVA 37

Juventus-Lazio 2-2
Shënues:
Vlahovic 10’, Morata  35’ / Patric 51’, Milinkovic-Savic 90+5’

/ oversport.tv

You may also like