Fermeri nga Arizona vret meksikanin që kalonte vazhdimisht kufirin dhe tokën e tij në SHBA (fotot)

by admin
Spread the love

Një fermer gjedhësh nga Arizona, SHBA është akuzuar sot nga autoritetet për vrasjen e një shtetasi meksikan që hynte ilegalisht në SHBA, duke kaluar nga toka e tij vetëm 100 metra larg kufirit SHBA-Meksikë.

72 vjeçari George Alan Kelly, është akuzuar për vrasje të gradës së parë për ngjarjen e 30 janarit, kur qëlloi për vdekje në tokën e tij në Nogales, Arizona, 48 vjeçarin Gabriel Cuen-Butimea, njoftonte sherifi i Santa Cruz County.

Zyrtarët besojnë se Cuen-Butimea ishte qytetar meksikan prej një karte meksikane votimi që iu gjet me vete.

Cuen-Butimea kishte disa precedentë të kalimit ilegal të kufirit dhe ishte deportuar disa herë, më së fundmi në 2016, sipas dokumenteve të para nga rrjeti Daily Mail.

Pas deportimit të emigrantëve, SHBA i ndalon ata të rikthehen për pesë ose dhjetë vjet, në varësi të arsyes së deportimit.

Disa orë para ngjarjes fatale, autoritetet kishin marrë njoftimin për të shtënat, shkruan rrjeti vendas Nogales International. 

Informuesi thoshte se një grup emigrantësh po vraponin dhe “nuk e dinte mirë nëse po u qëllonin me armë”.

Autoritetet nuk dhanë më shumë informacione dhe as motivin e vrasjes. Në seancën gjyqësore Kelly tha se është ‘fermer’ dhe se shkruan libra që përshkruajnë jetën e tij në fermën pranë kufirit SHBA-Meksikë.

Në një prej historive të tij të publikuara online e titulluar “Far Beyond the Border Fence” (Përtej gardhit kufitar), personazhet që ngjajnë me autorin dhe gruan e tij, thuhet se “patrullojnë kufirin me automatikë AK-47” — të ngjashme me armët që zotërojnë grupet vendase të militantëve në Arizona.

Ligji në Arizona lejon përdorimin e forcës për të parandaluar grabitjen apo mbrojtjen e shtëpisë, ngjashëm me ligjin amerikan të njohur si “stand your ground” (mbro vendin ku qëndron).

Statuti thotë se “një person justifikohen në kërcënimin ose përdorimin e forcës ndaj një tjetri kur është menjëherë e nevojshme për të mbrojtur veten nga forca e jashtëligjshme e tjetrit”.

Ligji shpesh kontestohet pasi lë në dorë të prokurorëve interpretimin nëse personi është i justifikuar apo jo në përdorimin e forcës fatale.