Fati dhe tranversat janë në anën e Venezias, ngec Roma dhe vë në rrezik europën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ka spektakël, polemika, shumë shtylla, por nuk ka një fitues në sfidën midis Romës dhe Venezias. Ekipi i Mourinhos ngec përballë vendit të fundit në një barazim 1-1, pavarësisht se e dominoi totalisht takimin.

Performanca e madhe e Maenpa dhe fati nuk ishin në anën e Romës që edhe pse provoi deri në sekondat e fundit. Lojtarët shpërdoruan shumë dhe nuk ia dolën të dilnin me pikë të plota, duke vënë tashmë në rrezik edhe pjesëmarrjen në kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm.

Mjafton më pak se një minutë lojë për t’u prishur ekuilibrat e këtij takimi. Venezia surprizon Romën me Okereke që mposht Rui Patricion dhe i çon shifrat në 1-0. Shtanget “Olimpico”, por jo lojtarët e Romës që hidhen menjëherë në sulm për të vendosur ekuilibrat.

Lorenzo Pellegrini kërkon një 11-metërsh pas një ndërhyrje të gabuar në dëm të tij, por gjyqtari konsideron gjithçka si të rregullt. Kapiteni i Romës do t’i afrohej golit më pas me një goditje dënimi, por klasi i tij u ndal në tranversë.

Një përmbysje e mundshme e Romës u duk më e lehtë kur Sofian Kiyine bën një ndërhyrje të gabuar dhe pas konsultimit me sistemin VAR gjyqtari e ndëshkoi me karton të kuq.

Pjesa e parë megjithatë, përfundoi me shifrat 1-0, ndërsa Mourinho kërkon fitoren dhe bën menjëherë tre zëvendësime që në fillimin e pjesës së dytë. Roma e nis me një tjetër marsh fraksionin e dytë, por duket se fati nuk është me ta.

Sërish tranversë nga të besuarit e Mourinhos që këtë herë vjen nga goditja e Bryan Cristante. Fati nuk është me Romën dhe këtë e vërteton edhe në rastin pasardhës ku tranversa do të ndalte edhe Lorenzo Pellegrinin.

Kur mbeten edhe 15 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Eldor Shomurodov vendosi edhe baraspeshën duke i çuar shifrat në 1-1. Roma hidhet e gjitha në sulm për golin e fitores, por fatin sërish e ka kundra.

El Shaarawy, Lorenzo Pellegrini, Shomurodov e Abraham nuk tregohen të qartë përpara portës, por përballë kanë edhe portierin Maenpaa që bën disa pritje fantastike duke i ndalur të gjithë.

Si të mos mjaftonte Maenpaa, Roma godet tranversën për herën e katër në këtë ndeshje, këtë herë me anë të Nicola Zaleëski. Edhe në minutat shtesë, Roma luan e gjitha në zonën e Venezias, por topi duket se nuk dëshiron të hyjë në rrjetë.

Venezia nga ana tjetër pati një shans të artë për të fituar ndeshjen pas një kundërsulmi pothuajse perfekt, por në fund gjithçka shpërdorohet. Polemika edhe për një penallti në sekondat e fundit me sistemin VAR që konsideron gjithçka të rregullt dhe gjyqtari i takimit sinjalizon përfundimin e ndeshjes me rezultatin 1-1.

Kështu me një javë nga fundit i kampionatit Roma qëndron në vendin e 6 me 60 pikë, por rrezikon pjesëmarrjen në kupat europiane pasi Atalanta dhe Fiorentina që janë një pik pas saj, kanë edhe një ndeshje për të luajtur. Nga ana tjetër Venezia pas barazimit të Salernitanës me Empolin ka prerë biletën për në Serie B në sezonin tjetër. /oversport.tv

Foto: AS Roma, Twitter

You may also like