“Euro 2024” – Gjithçka çfarë duhet të dini për shortin e 2 dhjetorit dhe stadiumet ku do të luhen ndeshjet

by admin
Spread the love

Shqipëria do të mësojë rivalët në grupet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024” të shtunën më datë 2 dhjetor. Në Hamburg prej orës 18:00 do të hidhet shorti për grupet e “Euro 2024”.

Skuadrat janë të ndara na katër vazo dhe Shqipëria ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë.

Gjermania si ekipi pritës i Evropianit ndodhet në vazon e parë dhe ekipet e tjera në atë vazo janë Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia. Në vazon e tretë ndodhen Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Çekia.

Ndërsa vazo e katërt ende nuk është e plotësuar, pasi deri më tani janë të konfirmuar vetëm tre ekipe Italia, Serbia dhe Zvicra. Tre ekipet e tjera do të përcaktohen nëpërmjet fazës “Play-off”, ku bëjnë pjesë 12 skuadra bazuar në performacën e tyre në Ligën e Kombeve. Skuadrat janë të ndara në tre grupe (A, B dhe C) dhe do të luajnë shanset e tyre në marsin e vitit 2024. Tre fitueset e grupit do të plotësojnë edhe vazon e katërt.

Evropiani “Gjermani 2024” do të nisë më datë 14 qershor dhe do të ulë siparin me finalen e madhe në datën 14 korrik. Gjermania si vendi pritës do të pozicionohet në Grupin A dhe do të luaj ndeshjen hapëse të Evropianit.

Përsa i përket formatit do të jetë i njëjtë si ai i “Euro2020”. Dy ekipet që pozicionohen të parat në Grup do të kualifikohen më tej në raundin tjetër, së bashku me katër ekipet më të mira që vijnë nga vendet e treta në grupe.

Më pas starton faza me eliminim direkt nga 1/8-ta në çerekfinalet e Evropianit, gjysmëfinalet dhe finalja e madhe.

“Euro2024” do të zhvillohet në dhjetë stadiume të klasit botëror në Gjermani, nga “Olympiastadion” në Berlin, deri në “Volksparkstadion” në Hamburg.

Ndeshja hapëse e Evropianit do të luhet në Mynih në stadiumin “Munich Football Arena”, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Berlin në stadiumin “Olympiastadion Berlin”.

Më poshtë të gjitha stadiumet dhe kapaciteti i tyre:

1.Berlin (Olympiastadion) 70.000 ulëse

2.Mynih (Munich Football Arena) 67.000 ulëse

3.Dortmund (BVB Stadion Dortmund) 66.000 ulëse

4.Shtutgart (Stuttgart Arena) 54.000 ulëse

5.Hamburg (Volksparkstadion Hamburg) 50.000 ulëse

6.Gelshenkirshen (Arena AufSchalke) 50.000 ulëse

7.Dyseldorf (Düsseldorf Arena) 47.000 ulëse

8.Këln (Cologne Stadium) 47.000 ulëse

9.Frankfurt (Frankfurt Arena) 46.000 ulëse

10.Lajpzig (Leipzig Stadium) 42.000 ulëse

You may also like