Erdogan “lufton” për marrëveshjen e grurit: Do flas vetë me Putinin!

by admin
Spread the love

Rexhep Tajip Erdogan shprehu besimin e plotë se do të gjendet mënyra që marrëveshja e cila i mundëson Ukrainës të eksportojë grurë përmes Detit të Zi, do të mbetet në fuqi.

Afati i saj është parashikuar të skadojë të shtunën. Megjithatë, presidenti turk ka shpresa se do të gjendet një zgjidhje.

Unë jam i mendimit se do të vazhdojë. Nuk ka përse të ketë probleme. Sapo të kthehem në Turqi, do të flas me presidentin rus Vladimir Putin, sepse rruga drejt paqes kalon përmes dialogut“- u shpreh Erdogan.

Erdogan i bëri këto komente nga Indonezia, ku po merr pjesë në samitin e G20. Ukraina është një nga prodhueset kryesore të grurit në botë. Lufta e nisur kundër saj nga Moska në fund të shkurtit, bllokoi 20 milionë tonë drithë në portet e këtij vendi. Kombet e Bashkuara dhe Turqia arritën të ndërmjetësojnë një marrëveshje për eksportin e tyre në muajin korrik.

Një ujdi tjetër, e ndërmjetësuar po prej tyre, mundësoi eksportet e ushqimeve nga Rusia, pavarësisht sanksioneve që i ka vendosur Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës. Kriza e grurit me pasoja të mundshme shkatërrimtare për furnizimin me ushqim në botë, ishte një nga pasojat e tjera gjunjëzuese të këtij konflikti, përvec ngërcit të energjisë që shkaktoi sidomos në kontinentin e vjetër.

Ukraina thotë se ka grurë të mjaftueshëm për të gjithë vitin për të garantuar eksportin e zakonshëm botëror, por me kushtin të mos ketë probleme në Detin e Zi.


Top Channel

You may also like