Era e një hakmarrjeje politike në kufirin bjelloruso-polak – Shqip

by admin
Spread the love

Gjermania i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të marrë masa për të ndihmuar në ndalimin e valës së emigrantëve në kufirin polak që vijnë nga Bjellorusia.

“Polonia apo Gjermania nuk mund të merren të vetëm me të,” i tha Bild-it ministri i Brendshëm Horst Seehofer, duke i kërkuar BE-së të marrë një front të përbashkët.

“Ne duhet të ndihmojmë qeverinë polake të sigurojë kufirin e jashtëm. Kjo duhet të jetë një çështje e Komisionit Evropian. Tani i bëj thirrje që të marrë masa”, ka theksuar ai.

Ai e bëri thirrjen pasi Polonia njoftoi se kishte refuzuar përpjekjen e qindra emigrantëve për të kaluar ilegalisht kufirin nga Bjellorusia, por gjithashtu vuri në dukje se mijëra të tjerë ishin ende duke u mbledhur.

Horst Seehofer tha se ai mbështet vendimin e Polonisë për të ngritur një gardh në kufirin me Bjellorusinë.

“Ne nuk mund ta kritikojmë atë për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së,” tha ai. “Jo, sigurisht, duke përdorur armë zjarri, por në mënyra të tjera të disponueshme”, shtoi ministri.

Mijëra emigrantë u mblodhën në kufirin Bjellorusi-Poloni në përpjekje për të hyrë në Bashkimin Evropian. Brukseli akuzon regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko për orkestrimin e mbërritjes së emigrantëve në kufijtë lindorë të BE-së pasi BE vendosi sanksione kundër Minskut për shkak të represionit brutal kundër opozitës. Por Lukashenko mohon akuza të tilla.

Parandalimi i një krize humanitare

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të hënën se autoritetet bjelloruse nuk do të përmbushin qëllimet e tyre duke shfrytëzuar emigrantët për të ushtruar presion mbi Bashkimin Evropian.

Von der Leyen tha se ajo kishte folur me kryeministrat e Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë, për të shprehur solidaritetin e tyre për BE. Ajo diskutoi me ta masat që BE mund të marrë për t’i ndihmuar ata të përballen me këtë krizë.

Presidenti i Komisionit u bëri thirrje vendeve anëtare të zgjerojnë sanksionet kundër regjimit bjellorus “për shkak të këtij sulmi hibrid”.

Ajo njoftoi se Komisioni do të diskutojë me agjencitë e specializuara të OKB-së mënyrat për të parandaluar një krizë humanitare dhe për të siguruar kthimin e sigurt të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës. /tesheshi.com/

You may also like