Emiljano Vila zhyt keq Dinamon, Teuta feston edhe prej portierit Dema

by admin
Spread the love

Emiliano Vila dhe portieri Endri Dema janë heronjtë e Teutës, që u kthye te fitorja me rezultatin 1-0 ndaj Dinamos pas dy humbjeve dhe numëron 5 pikë nga zona e ftohtë. Zhyten blutë, që tani kanë vetëm tre pikë më shumë se Skënderbeu i vendit të fundit.

Dinamo e nisi në sulm ndeshjen, por portieri 18-vjeçar Dema ishte në lartësinë e duhur duke ndalur Chinedu dhe Haxhiun në dhjetë minutat e para të ndeshjes. Teuta në rastin e parë ia doli ta çonte topin në rrjetë.

E gjithë merita për Emiljano Vilën, i cili u rrotua në zonë dhe e shtangu portierin Harizaj me goditjen e tij. Topi përfundoi në rrjetë dhe te Teuta nisi festa. Minuta të mira për “Djemtë e Detit”, që provuan me kokë me Jazxhi dhe më pas Hebaj goditi jashtë.

Dinamo e kaloi momentin “jo” dhe Denisson, Ibraimi e Chinedu u munduan të baraspeshojnë rezultatin në 45 minutat e para. Braziliani e ndali portieri Dema, kurse dy të tjerët goditën jashtë. Pjesa e parë u mbyll me golin e Vilës në fuqi.

Dinamo nuk mund të pajtohej me rezultatin dhe me kapitenin Ibraimi e lëshoi sinjalin e parë, ndërsa më pas tentuan edhe Denisson dhe Haxhiu. Rasti më i mirë u regjistrua në minutën e 64-t, kur Besir Demiri u ndal nga traversa.

Sulmet e Dinamos nuk u ndalën dhe sërish sulmuesi brazilian ai që nuk kishte shënjestrën e duhur, sikurse edhe Gruda për Teutën në minutat e fundit të kohës së rregullt. Në shtesë Dema u bë sërish hero, duke i mohuar golin Redon Mihanës dhe durrsakët ia dolën të marron pikët e plota.

ABISSNET SUPERIORE – JAVA 21
Teuta-Dinamo 1-0
Shënues:
E. Vila 11’

/ oversport.tv

You may also like