Elon Musk kërcënon organizatën që monitoron mediat me padi gjyqësore: Sulm mashtrues ndaj kompanisë

by admin
Spread the love

Elon Musk kërcënoi se do të padisë organizatën e monitorimit të mediave “Media Matters” dhe të tjerë që sulmuan platformën e tij të medias sociale “X”, pasi disa kompani të mëdha amerikane vendosën të ndalin reklamat në këtë rrjet ku ato shfaqeshin përkrah materialeve antisemite.

Musk dhe kompania “X” janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë kësaj jave për shkak të materialeve antisemite dhe raciste që u përhapën në këtë rrjet që kur ai e bleu në vitin 2022.

Organizata liberale e monitorimit të mediave “Media Matters for America” tha më herët këtë javë se pati zbuluar se reklamat e kompanive IBM, Apple dhe të tjera, vendoseshin përkrah materialeve që mbështesnin Adolf Hitlerin dhe Partinë Naziste.

CEO i Tesla-s mbështeti të mërkurën një postim antisemit në rrjetin X, ku pretendohet se anëtarë të komunitetit hebre po ushqenin urrejtjen ndaj të bardhëve. Veprimi i tij u prit me kritika të ashpra, ndër të tjera edhe nga Shtëpia e Bardhë.

“Sapo të hapet gjykata të hënën, Korporata X do të paraqesë një padi termonukleare ndaj Media Matters dhe të gjithë atyre që bashkëpunuan për këtë sulm mashtrues ndaj kompanisë sonë”, shkruajti Musk në rrjetin “X”, pa thënë se kush ishin palët e tjera të përfshira.

Kompani të shumta pezulluan reklamat e tyre gjatë dy ditëve të fundit, ndër to IBM, Disney, Warner Bros Discovery dhe Comcast, Lions Gate Entertainment dhe Paramount Global. Sipas faqes në internet Axios, edhe Apple, kompania me vlerën më të madhe në botë, do të veprojë po kështu.

“Këtë javë Media Matters for America publikoi një artikull që jep krejtësisht eksperiencën jo të vërtetë në “X”, në një tjetër përpjekje për të dëmtuar lirinë e shprehjes dhe për të mashtruar kompanitë reklamuese”, thuhet në deklaratën e publikuar nga zoti Musk. Ai e akuzoi organizatën “Media Matters” se ka krijuar një version alternativ për të “keqinformuar reklamuesit” për materialet e tyre që publikohen.

Organizata “Media Matters” tha të shtunën se zoti Musk sulmon dhe kërcënon me “padi të pabaza”.

“Musk pranoi se reklamat në fjalë paraqiteshin përkrah materialeve pro-naziste të identifikuara nga ne”, tha Angelo Carusone, president i “Media Matters”.

Musk ka kërcënuar edhe në të kaluarën me padi ligjore, më konkretisht “Lidhjen Kundër Shpifjes”, një organizatë jofitimprurëse që lufton antisemitizmin, duke e fajësuar atë për humbje të të ardhurave nga reklamat për rrjetin social X. Sidoqoftë, ai nuk ka paraqitur ende padi ndaj kësaj organizate.

Shtëpia e Bardhë dënoi të premten mbështetjen e dhënë nga zoti Musk për një teori të urryer konspiracioni antisemit, siç e quajti ajo, dhe e akuzoi zotin Musk për “mbështetje revoltuese të urrejtjes antisemite dhe raciste” që “bie ndesh me vlerat tona themelore si amerikanë”.

Ai është edhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Tesla, ndaj të cilës janë ngritur disa padi me akuza për racizëm të vazhdueshëm dhe ngacmime seksuale ndaj punonjësve.

Antisemitizmi ka qenë në rritje në vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. Pas fillimit të luftës mes Izraelit dhe grupit islamist palestinez Hamas, që sulmoi Izraelin më 7 tetor, incidentet antisemite në Shtetet e Bashkuara janë rritur me gati 400% nga një vit më parë, sipas “Lidhjes Kundër Shpifjes”./ Reuters-VOA


Top Channel

You may also like