Ekuadori dominon Katarin, dygolëshi i Valencias vendos ndeshjen hapëse të Botërorit

by admin
Spread the love

Ka marrë jetë Kupa e Botës 2022 dhe pas ceremonisë hapëse është luajtur ndeshja e parë e këtij turneu, mes vendasve të Katarit dhe Ekuadorit, dy skuadra që militojnë në Grupin A.

Një dygolësh i Enner Valencias në pjesën e parë ka vulosur fatin e kësaj sfide, që është fituar me rezultatin 2-0 nga ekuadorianët. Amerikano-jugorët tregojnë forcën që në minutat e para dhe arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës me kapitenin Valencia, por goli anulohet nga VAR, që bëhet menjëherë protagonist në Botëror.

Ekuadorianët nuk demoralizohen dhe pak minuta më vonë fitojnë një 11-metërsh, që kthehet në gol nga Valencia. Sapo kalojnë 30 minuta lojë sulmuesi ekuadorian shënon edhe golin e dytë personal me kokë.

Dominimi i Ekuadorit është i qartë dhe Katari shfaqet për herë të parë rrezikshëm në portën e amerikano-jugorëve në minutat shtesë të pjesës së parë.

Ritmi i lojës ulet ndjeshëm në pjesën e dytë dhe rastet për shënim janë të paktë. Spektakli në tribuna fiton më shumë vëmendjen e fraksionit të dytë të lojës. Ekuadori i afrohet edhe golit të tretë, ndërsa Katari nuk arrin që të rihapë ndeshjen. Kanë zhgënjyer vendasit në debutimin historik në Kupën e Botës, ndërsa Ekuadori merr tre pikë të arta dhe shpreson që të kualifikohet në turin tjetër të turneut. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter

You may also like