Eksperimentet me sistemin HAARP mund të shkaktojnë ‘aurora artificiale’ në Alaskë në fundjavë (fotot)

by admin
Spread the love

Shkuesit e qiellit të natës në Alaskë, SHBA mund të pikasin një sistem të çuditshëm ngjyrash në ajër këtë fundjavë.

Megjithse kjo ngjason shumë me ‘dritat dimërore’ në zonat arktike me shkëlqimin e kuq e të gjelbër në shtresat e larta të atmosferës, kësaj radhe duket se do të jetë rezultat i eksperimentit të sistemit të monitorimit apo kontrollit atmosferik HAARP (High-frequency Active Auroral Research Program), në Gakona të Alaskës, shkruan rrjeti lokal vendas Anchorage DailyNews.

“Çdo ditë shkëlqimi në ajër mund të jetë i dukshëm nga 400-500 km larg impjantit HAARP,” thuhet në një deklaratë të Institutit gjeofizik vendas, teksa shtohet se me krijimin e aurorave artificiale “studiuesit kërkojnë të mësojnë më shumë për aurorat natyrale”.

Sistemi i monitorimit e modifikimit të atmosferës HAARP përbëhet nga elementë për studimin e ionosferes, që shtrihet nga 100 deri në 600 km mbi tokë.

Kjo bëhet me anë të impulseve radio me frekuenca të larta që ndërhyjnë me elektronët e ionosferës, duke imituar kështu fenomenin që shkakton “dritat veriore”, që shihen kryesisht në ekstremin verior të Evropës.

“Shkencëtarët duan të hetojnë mekanizmat e ionosferës që krijojnë emetimet, për të mësuar sesi satelitët të përdorin valët e plazmës si udhëzues zbulimi apo shmangie të përplasjes”, shtohet në deklaratë.

HAARP është vendosur rreth 200 milje në verilindje të qytetit të Anchorage dhe 230 milje në jug të Fairbanks, që janë dy qendrat kryesore të banuara të shtetit amerikan të Alaskës.

Ata shtojnë se një version i vogël i eksperimentit është kryer dhe në 2017, ku zyrtarët stimuluan një mini-aurorë artificiale.

“Këndi i shikueshmërisë varet nga distanca e personit nga HAARP,” thuhej në deklaratën e institutit. “Për nga mënyra sesi funksionon syri njeriut, shkëlqimi mund të duket më mirë kur e shikojmë me syrin në njërën anë”, shtonin ata.

I krijuar fillimisht nga ushtria e SHBA, sistemi HAARP është prej kohësh objekt i teorive të shumta të konspiracionit si ato të përdorimit të tij si një armë e modifikimit apo e krijimit të fenomeneve katastrofike të motit me anë të valëve radio dhe mikropjesëzave në ajër.

Kur kontrolli i tij i kaloi Universitetit të Alaska në 2015, zyrtarët kanë mbajtur sesione të përvitshme të hapura për të shuar kuriozitetin e publikut dhe mohimin e nocioneve negative për impjantin.

Puna është pjesë e një granti $9.3 milionë e fondacionit amerikan të shkencës për të mësuar më shumë për atmosferën dhe gjeo-hapësirën, shtojnë zyrtarët.