Edi Rama do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s? (Favorite është ish-presidentja kroate)

by admin
Spread the love
Edi Rama dhe ish-presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç

Në kohën e një prove të madhe për NATO-n tashmë që Rusia po nxit dhe një luftë te re botërore me sulmin ndaj Ukrainës, gjithnjë e më shumë po spekulohet se kush do ta pasojë sekretarin e përgjithshëm, norvegjez Jens Stoltenberg. Ky i fundit do ta lërë detyrën më 30 shtator të vitit 2023. Ish-kryeministri norvegjez u emërua në postin e shefit të NATO-s në tetor të vitit 2014. Mandati i tij i dytë ishte parashikuar që të përfundonte në shtator të këtij viti, por për shkak të luftës së Rusisë u shty për vitin tjetër.

Ndërkohë që kanë nisur që tani spekulimet se kush do ta zëvendësojë shefin e NATO-s.

Studiuesja gjermane, Suzana Starikov përmes një postimi në Twitter thotë se kryeministri shqiptar Edi Rama do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Sipas saj, SHBA-ja ka insistuar në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s mes anëtarëve të rinj të NATO-s. Sipas saj, kandidatë ishin Rama dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

“Edi Rama do të pasojë Jens Stoltenberg në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Në veçanti thuhet se SHBA-të kanë insistuar në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s mes anëtarëve të rinj të NATO-s. Kandidatët ishin kryeministrja Katja Kalas dhe kryeministri Edi Rama. Kush do të jetë kryeministri i ardhshëm?”, shkruan Starikov.

Megjithatë, shumë diplomatë, siç raporton prestigjiozja Politico, theksojnë se është koha që një grua të vijë në këtë pozicion.

Theksi si favorite kryesore vihet te ish-presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila ka qenë në NATO si Ndihmës Sekretare e Përgjithshme.

Po ashtu në projekt janë Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Zëvendëskryeministrja belge Sophie Wilmes, ish-kryeministrja britanike Theresa May, ish-presidentja e Estonisë Kersti Kaljulaid dhe Jeanine Hennis-Plasschaert, politikane holandeze dhe ish-ministre Mbrojtjeje në këtë vend.

Burime afër Grabar-Kitaroviçit pajtohen se ajo është një nga kandidatet më serioze.

Ndërsa arsyet që jepen për këtë kandidaturë të fortë, është jo vetëm karriera e saj në Aleancë nga viti 2011 deri në vitin 2014, por dhe fakti se ka marrëdhënie të shkëlqyera me amerikanët, duke qenë njëherësh ish-ambasadore në Uashington.

Media të ndryshme raportojnë për negociata sekrete mes Perëndimit dhe Rusisë në kontekstin e vlerësimeve se diplomacia dypalëshe mes Kremlinit dhe Kievit nuk mjafton.

Ndërkohë, mediat kroate shkruajnë se mes njerëzve që konsiderohen si negociatorë potencialë me Vladmir Putinin është edhe ish-presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

“Për Kolindën ky është testi përfundimtar për pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Nëse ajo përmbyll me sukses negociatat, është e vështirë të imagjinohet se ky pozicion mund t’i përkasë dikujt tjetër”, shkruajnë mediat kroate.

 

You may also like