E kërkojnë Bayerni dhe Juventusi, Chelsea duhet të përmirësojë ofertën për Rudiger

by admin
Spread the love

Antonio Rudiger theu më në fund heshtjen, duke folur për herë të parë për ofertat joshëse që ka marrë për të lënë ekipin e Chelsea-t. Futbollisti i përfaqësueses gjermane konsiderohet si një ndër mbrojtësit më të mirë të Premier League-s dhe natyrisht me formën e shkëlqyer që po përjeton gjatë këtij viti 28-vjeçari berlinez është shënjestruar nga drejtuesit e disa prej klubeve më të rëndësishme të “Kontinentit të Vjetër”.

I ndërgjegjshëm për vëmendjen e madhe dhe sidomos interesimin e Bayernit të Mynihut, klubit më të famshëm gjerman, mbrojtësi me origjinë nga Sierra Leone nga ana e nënës pranoi se ndihet vërtet shumë i kënaqur për formën e tij dhe këtë fazë shumë të mirë të karrierës.

Antonio Rudiger shpjegoi se, pavarësisht gjithë kësaj vëmendjeje, ai po bën çmos për të ruajtur përqendrimin dhe fokusin e zakonshëm në radhët e bluve. Një koment i tillë vjen vetëm një javë pas shkrimit ekskluziv të Mirrorit dhe idesë se lojtari gjerman mund të shndërrohet në një ndër mbrojtësit më të paguar në historinë e këtij sporti.

Pasi e gjeti veten jashtë formacionit, madje shpeshherë edhe në tribunë me trajnerin e mëparshëm të klubit londinez, Frank Lampard, gjërat ndryshuan menjëherë me emërimin e Thomas Tuchelit. Rudiger tani konsiderohet si një ndër futbollistët e pazëvendësueshëm te “blues”.

Në këtë mënyrë ish-mbrojtësi i Stuttgartit dhe Romës dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e Championsit të dytë për klubin londinez, por mbi të gjitha Antonio Rudiger ia doli për të ruajtur po të njëjtën formë, duke i bërë një nisje të shkëlqyer edhe sezonit të ri. Me Bayernin e Mynihut që po zmadhohet gjithmonë e më tepër në horizont, krerët e klubit po përshpejtojnë veprimet për rinovimin e kontratës, por për hir të së vërtetës bisedimet kanë mbetur në vend.

Ndërkohë nga një situatë e tillë duan të përfitojnë edhe drejtuesit e klubeve të tjera dhe Bayernit të Mynihut i është shtuar gjithashtu edhe klubi i Juventusit. Nga sa kuptohet, krerët e Bayernit dhe Juventusit janë të gatshëm për t’i dyfishuar menjëherë pagën që përfiton te Chelsea qendërmbrojtësit të përfaqësueses teutone.

Për momentin Rudiger është grumbulluar me “Nationalelf” nën urdhrat e trajnerit të ri, Hansi Flick, për dy takimet me Rumaninë dhe Maqedoninë e Veriut dhe qendërmbrojtësi pranoi se ndihet krenar dhe i përkëdhelur nga fjalët shumë të mira që tha në adresë të tij trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, por 28-vjeçari kryeqytetas shtoi gjithashtu se nuk do të shpërqëndrohet aspak nga elozhet që po thurren nga të gjitha anët për të.

Në krahun tjetër, pasi theksoi rëndësinë e respektin që gëzon Rudiger në gjirin e ekipit, Thomas Tuchel konfirmoi se është duke shtyrë drejtuesit e Chelsea-t për të sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet me palën e futbollistit gjerman, në mënyrë që rinovimi i kontratës të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në Ishull ka pasur spekulime të shumta mbi një interesim të klubit tjetër londinez, Tottenham Hotspur, megjithëse së fundmi për qendërmbrojtësin gjerman janë futur në lojë gjithashtu edhe drejtuesit e Realit të Madridit dhe Paris SG. Rudiger që është në vitin e tij të fundit të kontratës është i lirë për të nisur bisedimet me drejtuesit e skuadrave të tjera që në muajin janar. 28-vjeçari nga Berlini u transferua nga Roma te Chelsea në verën e vitit 2017 për shifrën e 29 milionë strëlinave dhe deri tani te blutë ka pasur një pagë prej 100.000 paundësh në javë, ndërkohë vlen të theksohet fakti që ofertën e parë të përmirësuar prej 125.000 stërlinash në javë pala e mbrojtësit gjerman e refuzoi menjëherë.

 


Top Channel

You may also like