Dy gjeneralë përplasen për pushtet: Sudani, shteti që prej vitesh nuk gjen paqe

by admin
Spread the love

Luftimet që kanë shpërthyer në kryeqytetin sudanez të Hartumit e më gjerë janë rezultat i drejtpërdrejtë i një lufte të ashpër për pushtet në radhët e lidershipit të ushtrisë në vend.

Aktualisht ka përplasje në disa pika strategjike nëpër kryeqytet, teksa anëtarët e një force paramilitare, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), dhe ushtarët e thjeshtë luftojnë.

Por çfarë i shkaktoi luftimet?

Që prej grushtit të shtetit në tetor të 2021, Sudani udhëhiqet nga një këshill gjeneralësh, që drejtohet nga dy ushtarakë, të cilët janë në qendër të konfliktit:

-Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, kreu i forcave të Armatosura dhe presidenti në detyrë i vendit.

-Dhe zëvendësi i tij, njëkohësisht lider i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur gjerësisht si Hemedti.

Ata kanë kundërshtime për drejtimin që po merr shteti dhe lëvizjen e propozuar që të ketë një udhëheqje më civile. Një ndër pikat kryesore ku nuk bien dakord, është plani për të përfshirë 100 mijë luftëtarë të RSF në ushtri, që do të drejtonin forcat e reja.

Ku ndodhet Sudani?

Kombi verilidor afrikan kufizohet me 7 shtete, përfshirë vende të fuqishme si Egjipti në veri dhe Etiopia në lindje. Ka po ashtu dalje në Detin e Kuq, e domosdoshme për tregtinë ndërkombëtare. Dikur ishte vendi më i madh i kontinentit për nga sipërfaqja, derisa Sudani Jugor fitoi pavarësinë në 2011, pas dekadave lufte civile.

Përse luftimet nisën të shtunën?

Dhuna vjen pas disa ditë tensionesh teksa anëtarët e RSF zbarkuan rreth e rrotull shtetit javën e shkuar, një lëvizje që ushtria e pa si kërcënim. Pati shpresë se konflikti do të mund të zgjidhej nëpërmjet bisedimeve, por këto të fundit nuk ndodhën kurrë.

Është e diskutueshme për të përcaktuar se cili ishte ai që hapi zjarr i pari të shtunën në mëngjes, por që prej atij momenti, luftimet janë përshkallëzuar në zona të ndryshme të vendit. Të paktën 100 civilë raportohen të vdekur deri më tani.

Forcat ajrore sudaneze ndërmorën sulme ajrore në kryeqytet, ku jetojnë më shumë se 6 milionë njerëz, duke bërë që të ketë viktima mes civilëve. Mes palëve pati një armëpushim të shkurtër të dakordësuar të shtunën, që të lejohej largimi i sigurt i civilëve.

Cilat janë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF)?

RSF u formua në 2013-n dhe e ka origjinën tek milicia famëkeqe Janjaweed, që luftoi brutalisht rebelët në Darfur, ku u akuzuan për pastrim etnik.

Që prej asaj kohe, Gjeneral Dagalo ka ndërtuar një forcë të fuqishme, që ka ndërhyrë në konfliktet në Jemen e Libi. Ai po ashtu ka zhvilluar interesa ekonomike, përfshirë kontrollin e minierave të arit të Sudanit.

RSF është akuzuar për abuzimin me të drejtat e njeriut, përfshirë masakrën e më shumë se 120 protestuesve, në Qershor të 2019-s. Një forcë e tillë jashtë ushtrisë, është parë si burim destabiliteti në vend.

Përse është në pushtet ushtria?

Luftimet janë episodi më i fundit i tensioneve në ngritje që pasuan hedhjen nga pushteti të presidentit Omar al-Bashir në 2019-ën.

Për rrëzimin e tij nga posti që e mbante prej gati 3 dekadash pati protesta masive dhe ushtria ndërmori një grusht shteti kundër tij. Por civilët vijuan fushatën për rikthimin e një udhëheqje demokratike. Një qeveri e përbashkët ushtarako-civile u vendos në krye, po ajo u rrëzua në tetor të 2021, nga një tjetër grusht shteti.

Dhe që prej asaj kohe, rivaliteti mes Burhan dhe Dagalo është intensifikuar. Dhjetorin e shkuar u ra dakord për një kornizë ligjore që e rikthente pushtetin në duart e civilëve, por bisedimet për ta finalizuar atë në detaje kanë dështuar.

Çfarë duan dy gjeneralët?

Gjenerali Dagalo është shprehur se grushti i shtetit i 2021 ishte gabim dhe është përpjekur që ta paraqesë veten dhe RSF-në në anën e civilëve, kundër elitave të Hartum. Teksa ka mbështetjen e disave, të tjerë e kanë të vështirë të besojnë qëndrimin e tij, për shkak të historisë brutale të forcave të tij paramilitare.

Ndërkohë, Gjenerali Burhan është shprehur se ushtria vetëm sa do të dorëzojë pushtetin e plotë tek një qeveri e zgjedhur, duke ngritur dyshimet se përfaqësuesit civilë që do të zgjidhen do ta kenë pushtetin e ndarë me të.

Dyshimet janë se të dy ushtarakët dhe mbështetësit e tyre janë të shqetësuar me atë çka mund të ndodhë me pasurinë dhe influencën e tyre nëse largohen nga pozicionet e tyre të pushtetshme.

Çfarë mund të bëjnë shtetet e tjera?

Ekziston frika se luftimet mund të fragmentojnë edhe më tej vendin, duke përkeqësuar trazirat politike dhe konflikti zgjerohet deri tek shtetet e tjera fqinje.

Diplomatët, që kanë luajtur një rol kyç në përpjekjet e tyre për të rikthyer një udhëheqje civile, po përpiqen dëshpërimisht për të gjetur një mënyrë që të dy gjeneralët të ulen në bisedime. Një bllok rajonal ra dakord që të dërgonte 3 presidentë, nga Kenia, Sudani Jugor dhe Xhibuti drejt kryeqytetit, Hartum, por është paqartë nëse do të mund ta bëjnë këtë udhëtim, pasi në vend nuk po fluturon asnjë avion.

Britania e Madhe, SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për armëpushim dhe bisedime për të zgjidhur krizën.

You may also like