Duro: Një hap i madh drejt Europës, nuk i lëshojmë yjet e skuadrës

by admin
Spread the love

Laçi ka marrë tre pikë të çmuara përballë Egnatias dhe tashmë thuajse ka siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Tekniku Shpëtim Duro ka analizuar ndeshjen në emisionin “Gol pas Goli”:

“Ishte një fitore e rëndësishme, pasi kemi bërë një hap shumë të sigurt drejt vendit të dytë dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm i skuadrës së Laçit. Në pjesën e parë ishte ndeshje e ekuilibruar, ndonëse patëm disa raste goli. Në 45-minutëshin e dytë hymë me ritëm tjetër dhe krijuam disa raste, deri në momentin e golit të parë. Natyrisht edhe rrezikuam në 2-3 momente, por morëm tre pikët dhe kjo vlen.

Nuk më intereson çfarë bëhet me skuadrat e tjera, por ishalla është gëzuar ai trajneri i Dinamos, pasi u hapëm një shpresë më shumë për të qëndruar në Superiore.

Guindo është një djalë fantastik, që nuk e ka problem fare golin, pasi vë si primar interesin e skuadrës. Unë insistova në verë që ta afroja dhe jam krenar, pasi jo vetëm ka bërë shumë mirë, duke qenë golashënues. Nuk e prishim lojën me Guindo, pasi ai i shënon golat me meritë.

Në verë i mbaron kontrata, por nëse do të ketë një ofertë shumë të mirë jashtë shtetit, sigurisht që nuk mund ta mbajmë. Por unë kam lidhje të veçanta me të dhe do të qëndrojë për Europën. Në Shqipëri do të qëndrojë vetëm te Laçi. Edhe Mazrekaj do të qëndrojë te Laçi, për sa kohë të jem unë këtu”, ka thënë Duro. / Oversport.tv

You may also like