Dorëheqja e Bashës, reagon për herë të parë Rudina Hajdari

by admin
Spread the love

Ish-deputetja e PD Rudina Hajdari, reagon pas vendimit të djeshëm të Lulzim Bashës për t’u dorëhequr si kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend. Hajdari e shikon këtë si një “mundësi të mirë për ta rikthyer PD në misionin e saj fillestar, si mbartëse e shpresës për shqiptarët.”

“Por që kjo të ndodhë duhet që çdokush, nga anëtari më i thjeshtë e mbi të gjitha drejtuesit e saj aktualë, në Parlament e jashtë tij, të heqin dorë nga zakoni i përdorimit të PD në funksion të interesit personal apo familjar. PD do të reflektojë shpresë vetëm nëse rivihet jo në funksion të një njeriu por në funksion të shoqërisë”, shkruan ndër të tjera ish-deputetja.

Reagimi i plotë:

“Në 22 Mars 1992, 30 vite të shkuara, Partia Demokratike simbilizonte shpresën e shqiptarëve.

Për herë të parë mbas 47 vitesh në pushtet, Partia e Punës u zëvendësua nga një parti e cila deri ato ditë i përkiste studentëve, intelektualëve, shqiptarëve të thjeshtë e plot me ëndrra për të ardhmen.

Fatkeqësisht, vit mbas viti, PD e humbi rolin e saj si përfaqësuese e shpresës duke arritur kulmin e shpërfytyrimit të saj në vitet e fundit.

Dorëheqja e Lulzim Bashës dje nga posti u kryetarit, mbas një seri humbjesh dhe vendimesh tejet të gabuara e me kosto për PD e vendin, është një mundësi e mirë për ta rikthyer PD në misionin e saj fillestar, si mbartëse e shpresës për shqiptarët.

Por që kjo të ndodhë duhet që çdokush, nga anëtari më i thjeshtë e mbi të gjitha drejtuesit e saj aktualë, në Parlament e jashtë tij, të heqin dorë nga zakoni i përdorimit të PD në funksion të interesit personal apo familjar.

PD do të reflektojë shpresë vetëm nëse rivihet jo në funksion të një njeriu por në funksion të shoqërisë.

Ky është një moment që kërkon maturi, mençuri dhe dashuri për Shqipërinë.

Vendi ka shumë nevojë për një opozitë të tillë, të ndershme, pa ngarkesa nga e kaluara, me energji dhe vizion te qartë për të ardhmen.

Rrugët e Shqipërisë kanë javë që ushtojnë nga zërat e qytetarëve të inatosur me qeverinë Rama.

Ata duan alternativë e që PD të jetë e tillë duhet të shkëputet nga avazet e vjetra dhe të ringrihet me forca dhe energji të reja.

Kjo i duhet shqiptarëve dhe Shqipërisë!”, shkruan Hajdari.

You may also like