Doan Osmani i kënaqur nga turneu “Kosova Karate Senior Open 2022”

by admin
Spread the love

Në qytetin e Ferizajit është zhvilluar turneu tradicional në karate, “Kosova Karate Senior Open 2022”. Mes 16 garuesve nga Kosova, në këtë event mori pjesë edhe Doan Osmani nga Klubi i Karatesë “Fati” nga Tetova.

Në konkurencë interesante në kategorinë absolute, gostivarasi performoi në nivel të kënaqshëm dhe pavarësisht pakënaqësisë së tij nga disa vendime të arbitrave, ai në fund siguroi podiumin pasi u ndal në vendin e tretë, që gjithsesi paraqet sukses për të.

Doan Osmani zhvilloi katër lufta, humbi vetëm në gjysmëfinale dhe në mënyrën më të mirë shfrytëzoi këtë turne për tu përgatitur për sfidat e radhës që e presin gjatë këtij viti.

“Edhe pse gjithmonë synoj të jem sa më lartë, duhet të jem i kënaqur me këtë rezultat.

Në punën time synoj të jem sa më i përpiktë, të jap maksimumin dhe të fitoj me meritë duke ushtruar e performuar në gara, me respekt maksimal për çdo garues që më del përpara. Prandaj nuk dua të tingëllojë si arsyetim apo mos respekt ndaj dikujt, por realisht mendoj se në momente arbitrat nuk ishin edhe aq të saktë në ndarjen e drejtësisë.

Gjithsesi unë e vlerësoj të suksesshme këtë garë dhe jam i kënaqur me paraqitjen, që gjithmonë mundet edhe më mirë. Me këtë rast dua të shpreh një falënderim publik për mikun tim Sait Lleshi, i cili më ka përkrahë tejmase në këtë garë”, është shprehur Doan Osmani, pas përfundimit të turneut “Kosova Karate Senior Open 2022”.

You may also like