Dhoma e Përfaqësuesve nis hetimet për shkarkimin e Biden – Shqip

by admin
Spread the love

Dyshimet janë se presidenti amerikan ka përfituar nga marrëveshjet e huaja të biznesit të djalit Hunter Biden

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë njoftuar nisjen e hetimeve për shkarkimin e presidentit amerikan Joe Biden lidhur me përfitimet nga marrëveshjet e huaja të biznesit të të birit, Hunter Biden.

“Këto dyshime janë një pasqyrë e një kulture të korrupsionit. Ne jemi në dijeni të transfertave bankare prej gati 20 milionë dollarësh për anëtarë të familjes së zotit Biden dhe njerëzve të lidhur me të përmes kompanive”, u tha gazetarëve kryetari McCarthy.

McCarthy ngriti dyshime se Biden ka përdorur zyrën presidenciale për të koordinuar këto kontakte dhe se bizneset kanë marrë trajtim preferencial nga administrata e tij. Një seri komisionesh të Dhomës së Përfaqësuesve nuk kanë arritur të gjejnë prova që vërtetojnë këto dyshime.

Në një deklaratë disa ligjvënës demokrat kanë deklaruar se Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk kanë arritur të artikulojnë ndonjë akuzë konkrete ndaj presidentit Biden pasi nuk kanë asnjë lloj baze për të filluar një të ashtuquajtur hetim të tillë. Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer e cilësoi javën e shkuar nisjen e hetimeve për shkarkim si absurde.

Hetimi ndaj Bidenit mund të jetë disa mujor, por mund të zgjasë edhe një vit dhe varet nga ajo se çfarë McCharthy dhe republikanët besojnë se është koha e duhur për të përfunduar hetimin apo për të lëvizur drejt përpilimit të artikujve për gjykimin e presidentit.

Njoftimi i hetimeve për shkarkimin e kreut të Shtëpisë së Bardhë krijon gjithashtu një përballje mes Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë, pasi ligjvënësit duhet të arrijnë një marrëveshje me presidentin për të shmangur mbylljen e qeverisë, duke qenë se fondet e saj mbarojnë më 30 shtator.

Dhomës së Përfaqësuesve i kanë mbetur edhe vetëm disa ditë pune për të thirrur një seancë për miratimin e një rezolute afatshkurtër ose rrezikohet një mbyllje të qeverisë. Nëse mbyllet qeveria, komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve nuk do të jenë në gjendje të punojnë për hetimin për shkarkimin e presidentit amerikan.

Klan News

You may also like