Derbi i mbijetesës nuk ka fitues, Altare mban ngjallë Cagliarin në frymën e fundit

by admin
Spread the love

Një gol në frymën e fundit nga Giorgio Altare i ka prishur festën Salernitanës pasi i largoi tre pikë nga duart në derbin e mbijetesës. Sfida përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa Cagliari arriti të siguronte një pikë vetëm në sekondat e fundit duke e ndezur garën për mbijetesë më shumë se kurrë.

Në valle përveç Salernitanës e Cagliarit është gjithashtu edhe Genoa që ndodhet vetëm 2 pikë larg zonës që të mban në elitën e futbollit italian.

Presioni është i madh për një rezultat të gabuar, po ashtu edhe pesha. Për rrjedhojë të dyja ekipet kërkojnë të mos rrezikojnë shumë duke studiuar fillimisht lojtën e kundërshtarit.

Rastet në fraksionin e parë nuk janë të shumta me Pavolettin që krijoi rrezikun e parë të takimit pas çerek orësh lojë, por goditja e tij me kokë nuk përfundoi në kuadrat. Nga ana tjetër, Salernitana nuk shfaqet shumë rrezikshëm, madje nuk arrin të regjistrojë asnjë goditje në kuadratin e portës kundërshtare.

Edhe pjesa e dytë nis me të njëjtin rritëm, me të dyja ekipet që po mendojnë më shumë për duelet në mesfushë. Megjithatë, pas një ore lojë në total, një ndërhyrje e gabuar e Matteo Lovato në zonën e Cagliarit detyroi gjyqtarin Di Bello që të akordoi një 11-metërsh.

Arbitri konsultohet edhe me sistemin VAR dhe pas pamjeve filmike qartësohet gjithçka duke akorduar 11-metërshin. Nga pika e bardhë u vendos Simone Verdi që realizoi duke u kthyer në hero për Salernitanën.

1-0 për vendasit dhe tashmë mbijetesa është më pranë se kurrë. Situatë totalisht e kundërt në kampin tjetër që shikon më pranë se kurrë zbritjen një kategori më poshtë.

Për rrjedhojë, mysafirët hidhen në sulm për të gjetur të paktën golin e baraspeshës dhe Grassi provon të surprizojë portierin Seppe. Për një moment ai ndal zemrat e tifozëve në “Stadio Arechi”, por për fatin e mirë të Salernitanës topi u ndal nga shtylla.

Ekipet vazhdojnë të provojnë për të ndryshuar rezultatin, por asnjë rast nuk ishte mjaftueshëm i rrezikshëm për të çuar topin në rrjetë. Në fundin e takimit u përhapën edhe shumë polemika pasi gjyqtari fillimisht akordon një 11-metërsh për Cagliarin e më pas e anulon atë pas konsultimit me sistemin VAR.

Kur pritej fitorja e Salernitanës, Cagliari arrin të barazojë në minutën e nëntë shtesë me anë të mbrojtësit Giorgio Altare. Ai shënoi me kokë pas një goditjeje këndi duke e mbyllur edhe sfidën me rezultatin 1-1.

Kështu me dy javë nga fundi i kampionatit lufta për mbijetesë vazhdon të jetë e zjarrtë pasi Salernitana e vendit të 17-të ndodhet vetëm 1 pikë më shumë se Cagliari dhe dy më shumë se Genoa që ndodhen në zonën e ftohtë. /oversport.tv

Foto: Cagliari Calcio, Twitter

You may also like