Dënim me vdekje për vrasësin e 11 personave – Shqip

by admin
Spread the love

Dënim me vdekje dha gjykata për autorin e vrasjes së 11 besimtarëve në një sinagogë në Pittsburgh, një prej sulmeve më vdekjeprurëse antisemitike në historinë e SHBA. Juria e shpalli fajtor Robert Bowers në Qershor, për sulmin e Tetorit të vitit 2018-të në Pennsylvania dhe përgjatë kësaj kohe patën diskutime të gjata nëse ai duhet të përballej me ekzekutim ose burgim të përjetshëm.

Që Bowers të dënohej me dënim me vdekje, anëtarët e jurisë duhet të binin dakord në mënyrë unanime.

Kamionisti 50-vjeçar plagosi gjithashtu disa persona të tjerë, përfshirë 5 oficerë policie, gjatë sulmit me armë në sinagogën “Tree of life” (Pema e jetës).

Kur u arrestua në vendin e ngjarjes, ai u tha oficerëve të policisë se “të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin” dhe që prej asaj kohe ai ka shprehur krenari për vrasjet e tij.

Gjatë kohës kur u dha dënimi, prokurorët argumentuan se Bowers kishte qëllimin dhe paramendimin e nevojshëm për t’u kualifikuar për dënimin kapital. Ata sollën në gjyq dëshmitarë dhe prova për të treguar se sulmi i tij kishte qenë i planifikuar me kujdes dhe kishte sulmuar qëllimisht besimtarë të moshuar, të pafajshëm.

Nga ana e tyre, avokatët e Bowers pretenduan se ai vuante nga sëmundje të rënda të shëndetit mendor, përfshirë skizofreni./tvklan.al

You may also like