Debate të ashpra në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas vendimit të Putinit

by admin
Spread the love

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së thirrën një takim urgjent të hënën vonë për të diskutuar vendimin e Rusisë për të njohur si shtete të pavarura rajonet separatiste Donjeck dhe Lugansk në Ukrainën lindore.

Takimi erdhi me kërkesë të Ukrainës disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi njohjen nga Moska të dy republikave të vetëshpallura në një dalje televizive.

“Na vjen shumë keq për këtë vendim, i cili rrezikon të ketë pasoja rajonale dhe globale,” tha Rosemary DiCarlo, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike, si folëse e parë.

Duke theksuar rëndësinë e dialogut në komentet e saj, DiCarlo tha se negociatat janë mënyra e vetme për të adresuar dallimet midis aktorëve kryesorë në lidhje me çështjet e sigurisë rajonale dhe zgjidhjen e konfliktit në Ukrainën lindore.

Lëvizja e Moskës tërhoqi dënimin dhe kërcënimet me sanksione nga SHBA dhe aleatët perëndimorë mes frikës për një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës.

E dërguara e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield i drejtori kritika të ashpra deklaratës së Rusisë për njohjen e Donetskut dhe Luhanskut, krahina që kanë shpallur pavarësinë në Ukrainën lindore.

Duke e akuzuar Rusinë se po përpiqet të krijojë pretekste për ta pushtuar më shumë Ukrainën diplomatja amerikane tha: “Pasojat e këtij veprimi do të ndjehen shumë larg kufijve të Ukrainës”.

Rusia ka sulmuar hapur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës,- u shpreh Thomas Greenfield dhe lidhur me nismën [e Moskës] për dërgimin e trupave ushtarake në këto dy krahina bëri këtë koment: “(Presidenti i Rusisë Vladimir Putin) U thotë atyre forca paqeruajtëse. Ky është absurditet. Ne e dimë se çfarë janë ato (trupa) në të vërtetë. Ndërsa [Putin] bëri këtë, ai vendosi para botës një zgjedhje”.

Ambasadorja amerikane në OKB e vijoi fjalën e saj duke thënë se askush nuk duhet të qëndrojë mënjanë përballë këtyre zhvillimeve. “Për më tepër, kjo lëvizje e presidentit Putin duket qartë që është baza e një nisme të Rusisë për të krijuar një pretekst për një pushtim më të gjerë të Ukrainës. Pasojat e këtij veprimi do të ndihen shumë larg kufijve të Ukrainës”, paralajmëroi ajo.

Linda Thomas-Greenfield e akuzoi Putinin se donte që “bota të udhëtonte pas në kohë, në kohën përpara Kombeve të Bashkuara, në një kohë kur botën e sundonin perandoritë”.

“Putini përpiqet të kthehet në territoret e perandorisë ruse. Sot nuk jemi në vitin 1919, jemi në 2022. OKB-ja nuk u krijua mbi parimin e ri-kolonializimit, por de-kolonializimit”, tha ajo.

Thomas Greenfield paralajmëroi se “pasojat e veprimeve të Rusisë do të jenë të tmerrshme”, duke paralajmëruar se nëse pushtimi vazhdon, krahas humbjeve shkatërruese në jetë njerëzish edhe Evropa do të përjetojë një krizë refugjatësh me miliona njerëz të zhvendosur.

“Presidenti Putin po teston sistemin tonë ndërkombëtar. Ai po teston vendosmërinë tonë dhe po sheh se sa larg mund të na shtyjë të gjithëve,”-tha Thomas Greenfield në një deklaratë për gazetarët pas takimit dhe shtoi: “Këshilli i Sigurimit dha mesazhin e përbashkët se Rusia nuk duhet të fillojë një luftë, por duhet t’i drejtohet diplomacisë”.

Ajo tha se ShBA-ja do të marrë masa të mëtejshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për “këtë shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Disa orë pas vendimit të tij të diskutueshëm, Putin urdhëroi trupat ruse të lëviznin në Ukrainën lindore për qëllimin e pretenduar të paqeruajtjes.

Ambasadori francez në OKB, Nicolas de Riviere shprehu shqetësimin për dërgimin e trupave, duke thënë se “kjo do të ishte një tjetër shkelje flagrante e integritetit territorial të Ukrainës”.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të përmbahet nga çdo veprim tjetër destabilizues, veçanërisht nga ato që mund të minojnë sigurinë dhe qetësinë e popullatës civile dhe t’i vënë ata në rrezik”, shtoi ai.

Përfaqësuesja e përhershme e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Dame Barbara Woodward, tha se veprimet që Rusia ka zgjedhur sot do të kenë pasoja të rënda dhe të mëdha ekonomike. Anglia do të shpallë kundër Rusisë sanksione të reja si përgjigje ndaj sulmeve të Moskës ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës duke shkelur ligjin ndërkombëtar.

“Veprimet e ndërmarra sot janë një tallje me angazhimet që Rusia ka bërë ndaj Memorandumit të Budapestit dhe marrëveshjeve të Minskut të miratuara me rezolutën 2202 të Këshillit të Sigurimit. Rusia na solli në buzë të greminës. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të hedhë hap prapa. Këshilli i Sigurimit ka përgjegjësinë t’i bëjë apel Rusisë për të ulur tensionin, të dënojë agresivitetin dhe të respektojë Kartën e OKB-së,” tha ajo.

Ndër vendet e tjera folëse në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishin India, Brazili, Meksika, Irlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kenia, Gana, Gaboni, Norvegjia, Kina, Rusia dhe Ukraina.

Ambasadori i Indisë në OKB, TS Tirumurti tha se India ka “ndjekur nga afër” ngjarjet në zhvillim në lidhje me Ukrainën, duke përfshirë ato përgjatë kufirit të saj lindor dhe njoftimin nga Moska.

“Përshkallëzimi i tensioneve përgjatë kufirit të Ukrainës me Federatën Ruse është një çështje shqetësuese e thellë. Këto zhvillime kanë potencialin të minojnë paqen dhe sigurinë e rajonit,” tha ai.

“Ne bëjmë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët. Prioriteti i menjëhershëm është de-përshkallëzimi i tensioneve, duke marrë parasysh interesat legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve dhe që synon sigurimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon dhe më gjerë.”

Në fjalën e tij të shkurtër, përfaqësuesi i Kinës në OKB, Zhang Jun, u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen dhe të kërkojnë “zgjidhje të arsyeshme” për shqetësimet e njëri-tjetrit.

 

You may also like