De Riu: Italia vazhdon ta mbështesë Kosovën, i nevojshëm de-përshkallëzimi i situatës në veri

by admin
Spread the love

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ka theksuar nevojën për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Ai tha se është thelbësore që palët të bëjnë një hap prapa për uljen e tensioneve në katër komunat veriore teksa riktheksoi mbështetjen ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomik.

“NATO dhe ushtria jonë do të mbeten për të garantuar stabilitetin dhe për të parandaluar përkeqësimin e situatës, por është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga të gjitha palët e përfshira që menjëherë të bëjnë një hap prapa dhe të kontribuojnë në zbutjen e tensioneve”.

“Si një partner kyç i BE-së dhe NATO-KFOR-it, Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në këtë fazë vendimtare, duke mbështetur integrimin e saj në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, nëse kjo do të ketë nevojë për një qasje konstruktive nga Prishtina”, tha ai, shkruan KP, transmeton Klankosova.tv

Në shënimin e pavarësisë së Italisë, ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se vlera e ushtarëve italian në Kosovë u tregua edhe të hënën, më 29 maj në Zveçan, ku u përballën me “turmën e infiltruar nga elementë të dhunshëm ekstremistë, pjesërisht nga jashtë Kosovës, me qëllime kriminale”.

“Vlera e ushtarëve italianë u tregua plotësisht të hënën, më 29 maj në Zveçan, ku njësitë e KFOR-it u përballën me turmën e infiltruar nga elementë të dhunshëm ekstremistë, pjesërisht nga jashtë Kosovës, me qëllime kriminale, të cilët shpresoj se do të mbajnë përgjegjësi nga institucionet e rendit dhe ligjit të Republikës së Kosovës”.

“11 ushtarë të guximshëm italianë kanë mbetur të plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë, por fatmirësisht plagët nuk janë fatale. Sot nuk është dita për të folur se kush i sulmoi paqeruajtësit. Ata që sulmojnë paqeruajtësit sulmojnë paqen. Unë e di që ka një përpjekje për të fajësuar vetë njësitë e KFOR-it apo ato të policisë së Kosovës, por as KFOR-i dhe as policia nuk sulmuan askënd. Ata thjesht e bënë detyrën e tyre për t’u përballur me trazirat e urdhëruara nga jashtë dhe që nuk janë në interes të asnjë qytetari të Kosovës të asnjë etnie”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like