COVID-19 – Holanda heq masat kufizuese pas shifrave në rënie të infeksionit

by admin
Spread the love

AMSTERDAM, 16 shkurt /ATSH-DPA/- Holanda ka njoftuar planet për të hequr shumicën e masave kufizuese kundër Covid-19 nga e premtja.

Nga e premtja, stadiumet e futbollit, teatrot, kinematë dhe restorantet do të lejohen të presin vizitorë pothuajse pa kufizime dhe gjithashtu do të qëndrojnë të hapura sërish deri në orën 1:00 të mëngjesit, në vend të orës 22:00.

“Vendi do të jetë përsëri i hapur”, tha sot ministri i Shëndetësisë Ernst Kuipers në Hagë.

“Duke pasur parasysh shifrat në rënie të infeksionit, kishte arsye për optimizëm. Por ne duhet të jemi realistë. Koronavirusi nuk është larguar”, tha Kuipers.  Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm.

Heqja e kufizimeve do të bëhet nëpërmjet dy hapave. Hapi i parë të premten do të pasohet nga ai që pritet të jetë hapi përfundimtar më 25 shkurt, kur do të hiqen maskat dhe çertifikatat shëndetësore.

Aktualisht, vizitorëve në restorante, evente kulturore dhe sportive u kërkohet të dëshmojnë se janë testuar, vaksinuar ose shëruar nga Covid-19.

Për ngjarje të mëdha si festivalet, testimi do të mbetet i detyrueshëm në të ardhmen, megjithëse kërkesa për të mbajtur maskë do të mbetet në fuqi vetëm në transportin publik dhe për udhëtimet ajrore.

Javët e fundit, presioni ndaj qeverisë për të hequr kufizimet si nga publiku ashtu edhe nga drejtuesit e biznesit është rritur. Ekspertët e shëndetit publik gjithashtu e konsiderojnë këtë veprim të justifikuar. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like