Ç’ndodh aktualisht në veri dhe zhvillimet në diplomaci – Shqip

by admin
Spread the love

Në veri të Kosovës nata ka kaluar e qetë, ndërsa para objekteve komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan sot në mëngjes janë mbledhur një numër i vogël serbësh.

Në ndërtesat komunale ende ka pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe forcave speciale, të siguruar nga ushtarët e KFOR-it të dislokuar rreth ndërtesave komunale.

Në mes të anëtarëve të misionit paqeruajtës ndërkombëtar dhe serbëve janë vendosur tela me gjemba dhe një gardh metalik ku janë vendosur flamujt e Serbisë.

Në Zveçan, pjesëtarët e KFOR-it u vendosën gjithashtu në pesë pika hyrëse në qytet, për të parandaluar kalimin e forcave speciale pranë serbëve protestues.

Serbët në tri komuna kërkojnë që pjesëtarët e policisë speciale të tërhiqen nga komunat në veri të Kosovës dhe që kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur më 23 prill në zgjedhjet e bojkotuara nga serbët të mos hyjnë në objektet komunale.

Kurti: Për mundësinë e zgjedhjeve të reja me Lajçakun dhe Escobarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për NBC News ka thënë se nuk e konteston domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës në një moment, por se para kësaj duhet të vendoset “shteti i ligjit”.

Kurti tha se për mundësitë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja javën e ardhshme do të diskutojë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, të cilët do të vizitojnë Prishtinën.

“Javën e ardhshme në Kosovë do të vijnë të dërguarit specialë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lajçak dhe Escobar dhe do të diskutojmë detajet. Unë besoj në zgjedhje të parakohshme, por për këtë na duhet sundimi i ligjit dhe një fushatë e lirë dhe e ndershme për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Kurti.

Ai tha se është e qartë se kryetarët e komunave që fituan zgjedhjet e 23 prillit kanë legjitimitet të ulët, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në ato zgjedhje, por, shtoi ai, “janë të vetmit ligjorë dhe legjitimë”.

Shtëpia e Bardhë shprehu shqetësim

Zëvendës këshilltari i parë i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Finer, ka shprehur shqetësimin për ngjarjet në veri të Kosovës në një bisedë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka thënë Shtëpia e Bardhë, transmeton Reuters.

Finer foli me Kurtin të enjten dhe i bëri thirrje Kosovës që “të lejojë kryetarët e sapozgjedhur të komunave të ushtrojnë detyrat e tyre nga lokacione alternative dhe të tërheqë forcat e policisë nga ndërtesat komunale”, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ai gjithashtu përshëndeti “gatishmërinë e Kurtit për të punuar në krijimin e kushteve për zgjedhje të reja,” thuhet në deklaratë.

Një ndihmës i Biden foli me Vuçiç të premten dhe i kërkoi Serbisë që “të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara pranë kufirit dhe të ulë nivelin e tyre të vigjilencës, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve të qëndrojnë të qetë”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Në të dyja telefonatat, siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, Finer ka shprehur shqetësimin e tij për ngjarjet në veri të Kosovës dhe ka apeluar që situata të qetësohet.

Uashingtoni pret gjithashtu që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në fillim të këtij viti. /tesheshi.com/

You may also like