ç’mund të ketë shkaktuar rrëzimin e një Boeing 737 në dy minuta? – Shqip

by admin
Spread the love

Tragjedia më e madhe ajrore e të paktën 25 viteve të fundit duket të jetë e sotmja në Kine, me rrëzimin e Boeing 737 të China Eastern Airlines, i cili ra nga 30 mijë këmbë lartësi, duke patur brenda 23 pasagjerë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit. Sipas vlerësimeve fillestare, avioni pësoi një ” humbje të kontrollit” dhe u përplas vertikalisht në tokë me një shpejtësi prej 350 milje në orë, në vetëm dy minuta.

Fluturimi i China Eastern Airlines, i cili përfundoi tragjikisht në një kodër pranë qytetit Wuzhou, në provincën jugore të Guangxi, Kinë, shkaktoi një zjarr në pyll të dukshëm edhe nga imazhet satelitore të NASA-s nga hapësira.

Një zyrtar i shpëtimit citohet të ketë thënë se avioni ishte shpërbërë plotësisht, ndërsa zjarri që shpërtheu dogji bambu dhe pemë.

Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi “mbytjen” dhe rrëzimin e papritur, por ekspertët e aviacionit thanë për Daily Mail se mund të ketë qenë “një incident i humbjes së kontrollit, ndoshta pasi avioni ishte imobilizuar në lartësi të madhe” ose një dështim i sensorit në kabina.

Avioni, me numër fluturimi MU5735 nga Kunming në Guangzhou, besohet të jetë një Boeing 737-89P, i cili nuk i përket serisë MAX që ka pasur probleme vitet e fundit.

Arthur Rowe, një bashkëpunëtor në Qendrën e Universitetit Cranfield për Performancën dhe Funksionalitetin e Turbinave, i tha Daily Mail: “Si zakonisht ka shumë shkaqe të mundshme. Sipërfaqet e bllokuara të kontrollit që nuk përgjigjen, veçanërisht në bisht, janë një prej tyre. Një kombinim i papërshtatshëm i cilësimeve të autopilotit është një tjetër. Ekziston edhe mundësia e sabotimit, megjithëse kjo nuk ka gjasa në një fluturim të brendshëm, duke pasur parasysh kufizimet për Covid. Nuk ka gjasa të ketë lidhje me motorin, pasi avionët mund të fluturojnë në mënyrë perfekte pa një motor të ndezur – padyshim për një kohë të kufizuar”.

Nga ana e tij, Tao Yang, një profesor i asociuar i inxhinierisë në Universitetin e Nottingham, tha: “Aeroplani ishte plotësisht jashtë kontrollit dhe në këtë fazë është shumë e vështirë të thuhet se çfarë ndodhi. Megjithatë, shumica e përplasjeve lidhen me dështimin e sensorit”.

Rrëzimi i Boeing 737 i China Eastern Airlines mund të jetë më vdekjeprurës që nga viti 1994 në Kinë.

Përplasja e fundit e madhe e një avioni ndodhi në gusht 2010, kur një fluturim i Henan Airlines u rrëzua në Kinën verilindore, duke vrarë 40 njerëz.

Skenari më i keq është rrëzimi i një aeroplani Tupolev 154 të China Northwest Airlines në vitin 1994 pak pas ngritjes nga Xi’an në Kinën veriore, i cili vrau 160 njerëz.

Presidenti kinez Xi Jinping tha se ishte “i tronditur” nga aksidenti, njoftoi televizioni shtetëror kinez CCTV. Dhe në një reagim të nxehtë të pazakontë, i ai  kërkoi që të identifikoheshin sa më shpejt shkaqet e rrëzimit.

Fluturimi MU5735 ishte nisur në orën 13.00 me orën lokale nga Kunming në drejtim të Kantonit, në një distancë prej 1300 kilometrash. Avioni u copëtua pasi u përplas në një kodër, tha një banor lokal.

Sipas faqes së internetit FlightRadar24, avioni humbi 26,000 këmbë (7,925 metra) në 3 minuta përpara se të zhdukej nga radari në orën 14:22 me orën lokale. /tesheshi.com/

You may also like