Clescenco i Moldavisë: Keqardhje, meritonim fitoren në pjesën e dytë

by admin
Spread the love

Moldavia ia doli të barazonte Shqipërinë në minutat e fundit.

Rezultati 1-1 në Kishinjev solli kualifikimin e kuqezinjve në Euro 2024, por mbajti gjallë edhe shpresat e moldavëve për të realizuar ëndrrën e madhe. Skuadra e Serghei Clescencos duhet të fitojë transfertë e Pragës kundër Çekisë (20 nëntor) për t’iu bashkuar Shqipërisë në Gjermani 2024. Trajneri i Moldavisë foli pas ndeshjes me kuqezinjtë, ku ndër të tjera tha:

“Nuk fituam, por luajtëm me një energji të jashtëzakonshme dhe dhamë më të mirën tonë në fushë. Kjo do të thotë se fitorja do të vijë në ndeshjen e radhës.

Sigurisht që u bë më e vështirë pas penalltisë së Shqipërisë, por në pjesën e dytë luajtëm shumë më mirë se në të parën. Djemtë dhanë gjithçka kishin, u jam shumë mirënjohës.

Skuadra ishte e vendosur për fitore, një gjë e tillë u dallua në pjesën e dytë. Për fat të keq, në të parën na munguan vertikalizimet, nuk ishim shumë aktivë në sulm. Por, në fraksionin e dytë djemtë u çliruan, nisën të sulmonin dhe arritëm të shënonim. Gjithsesi, ne e kemi në duart tona çështjen e kualifikimit.

Shqipëria? Ata nuk krijuan aq sa ne në pjesën e dytë. E pranoj, Shqipëria na vuri në vështirësi me disa kundërsulme të shpejta, por rastet më të pastra i kishim ne. Nëse do të kishim patur pak më shumë fat, do të kishim shënuar edhe golin e dytë.

Ne nuk pritnim të ‘shtypnim’ ekipin kundërshtar. Pjesa e parë nuk ishte pozitive, por ne gjithmonë luajmë më mirë në pjesët e dyta.

Ekziston keqardhja që nuk fituam, pavarësisht faktit që pjesa e parë nuk më pëlqeu. Por ky është futbolli, u ndodh të gjithë skuadrave që të bëjnë një pjesë loje të mirë dhe një tjetër jo të mirë. Pjesa e dytë e pjesës së dytë tregoi qartësisht se ne e meritonim fitoren. Tashmë duhet të shkojmë të fitojmë në Çeki. Jemi në formë, mund t’ia dalim”, deklaroi trajneri 51-vjeçar./Supersport


Top Channel

You may also like