Ç’kërkojnë Koptët e Egjiptit pas një zjarri fatal në meshë? – Shqip

by admin
Spread the love

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe figurat publike u bëjnë thirrje autoriteteve egjiptiane të reformojnë ligjet “diskriminuese” që sipas tyre kufizojnë ndërtimin e kishave në Egjipt, që sipas tyre kontribuan në zjarrin e së dielës së kaluar në një kishë ortodokse kopte që vrau 41 njerëz, përfshirë 18 fëmijë.

Të paktën 14 persona u plagosën në aksidentin që ndodhi gjatë meshës së mëngjesit në kishën Abu Sefein në Imbaba, në perëndim të qendrës së Kajros. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, zjarri është shkaktuar nga një defekt në rrjetin elektrik.

Tragjedi familjare

Në një familje, një burrë humbi gruan, binjakët pesë vjeç, një djalë tre vjeç dhe gjyshen dhe tezen e fëmijëve të vdekur. Një familje tjetër humbi binjakët 13-vjeçarë dhe mes të vdekurve ishte edhe një prift.

“Kjo është e dhimbshme, e dhimbshme. Kjo është një fatkeqësi, njerëzit janë shumë të tronditur”, tha kopti Bassem Refaat, i cili vizitoi Imbaban pas zjarrit.

Ai tregon se ky komunitet shumë fetar është në kërkim të përgjigjeve, si dhe një mrekullie dhe një shenjë për të gjetur paqen në këtë tragjedi.

“Unë besoj se Zoti ka arsye për gjithçka që bën, le të presim dhe të shohim se cila është arsyeja e Zotit për këtë,” shtoi Refaat.

Amr Magdi nga departamenti i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut i organizatës Human Rights Watch, deklaron se organizata është “e shqetësuar nga fakti se mund të ketë viktima të reja për shkak të kushteve të pasigurta në vendet e lutjes”.

Në Egjipt, deri në vitin 2016, lejet për ndërtimin ose rinovimin e kishave duhej të miratoheshin drejtpërdrejt nga presidenti. Kjo e ka bërë “fjalë për fjalë të pamundur” ndërtimin dhe restaurimin e kishave, tha për Al Jazeera-n Kryepeshkopi Angaelos, kryepeshkopi kopt i Londrës. Kjo është arsyeja pse komunitetet e krishtera filluan të përdorin fshehurazi ndërtesa tregtare ose industriale si kisha.

Në vitin 2016, qeveria egjiptiane prezantoi një ligj të ri për të menaxhuar ndërtimin e kishave, i cili ia transferoi vendimin guvernatorëve lokalë. Megjithatë, ligji, i cili zbatohet vetëm për objektet e kultit të krishterë, ka shtrënguar kushtet për marrjen e lejeve dhe nuk ka asnjë proces ankimimi në rast refuzimi. /tesheshi.com/

You may also like