Çfarë është Këshilli i Evropës ku synon të aplikojë Kosova?

by admin
Spread the love

Kosova pritet të
aplikojë të enjten, 12 maj, për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Burime nga Ministria e
Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e
Lirë se aplikacioni është i gatshëm dhe se aplikimi do të bëhet së shpejti, me
siguri të enjten.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës
është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe
sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më
1949.

Këshilli mbron lirinë
e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka
realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si
dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në
Evropë.

Këshilli i Evropës u
ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që
të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i
ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla
ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë
ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të
nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare
për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të
Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Si i promovon të drejtat e njeriut ky Këshill?

Përmes konventave
ndërkombëtare. Në to përfshihen Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës
kundër grave, kundër dhunës në familje, si dhe Konventa për krimet kibernetike.

Këshilli monitoron
përparimin e vendeve anëtare dhe bën rekomandime përmes trupave të ekspertëve.

Vendet anëtare të
Këshillit të Evropës nuk kanë më ligje që mundësojnë dënime me vdekje.

Si financohet ky Këshill?

Për vitin 2022,
Këshilli i Evropës ka buxhet prej 477 milionë eurosh.

Buxheti krijohet
kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare.

Kontributet bazohen në
një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm.

Në mesin e vendeve që
kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia,
Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar.

Të hollat shfrytëzohen
për të zbatuar programin, i cili bazohet në tri fusha: të drejtat e njeriut,
sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Cilat janë vendet anëtare të Këshillit të Evropës?

Shqipëria, Andorra,
Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria,
Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca,
Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia,
Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda,
Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San
Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina,
Mbretëria e Bashkuar.

Vende vëzhguese janë:
Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Dallimi mes Këshillit të Evropës dhe Këshillit
Evropian

Këshilli i Evropës
është organizatë e ndarë nga Bashkimi Evropian, i cili ka 27 vende anëtare.

Megjithatë, asnjë
shtet nuk është anëtarësuar në BE, pa iu bashkuar fillimisht Këshillit të
Evropës.

Këshilli i Evropës
është organizatë ndërkombëtare dhe promovon demokracinë dhe të drejtat e
njeriut.

Këshilli Evropian
është institucion i Bashkimit Evropian. Së bashku me Komisionin Evropian
hartojnë politikat e BE-së.

Pse Kosova aplikon tani?

Më 16 mars të këtij
viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së
luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Në mungesë të Rusisë,
dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e
Kosovës.

Duke qenë se vendimet
merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Kosova ka shpallur
pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa
organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende as
anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e
Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e
angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj
kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka
arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre:
Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe
Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata
Botërore e Futbollit.

You may also like