Çfarë do të thotë për Ukrainën adresimi vjetor i shefes së BE-së?

by admin
Spread the love

Më 13 shtator, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka mbajtur fjalimin e saj vjetor në një seancë plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Si gjithmonë, përmes këtij fjalimi kuptohet se cila do të jetë e ardhmja e Bashkimit Evropian. Megjithatë, këtë vit fjalimi ka pasur edhe më shumë rëndësi, pasi ka qenë i fundit i tillë para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, që mbahen në qershor të vitit 2024.

Rezultati i atyre zgjedhjeve do të ketë ndikim të madh, në atë se kush do të zgjidhet president i Komisionit Evropian. Sipas një rregulli të pashkruar, presidenti i ri i Komisionit duhet të jetë nga partia politike që siguron më së shumti vota. Natyrisht, ajo është Partia e Popullit Evropian – partia e qendrës së djathtë – të cilës i takon Von der Leyen. Duke e analizuar fjalimin e saj, që ka tingëlluar më shumë si prezantim për pesë vjetët e ardhshëm, ka mundësi që ajo do të garojë sërish.

Përgjatë adresimit të saj tri orësh e gjysmë, Von der Leyen u është drejtuar votuesve evropianë për shqetësimet e brendshme të BE-së, sikurse inflacioni, siguria në punë, për zjarret pyjore dhe për vërshimet, që i kanë përjetuar shumë vende të kontinentit evropian këtë verë. Ajo ka folur edhe për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, e cila nënkupton tentimin e Brukselit për ta bërë Evropën neutrale ndaj klimës deri më 2050.

Shefja e BE-së ka folur për ndërtimin e fabrikave për “hekur të pastër” në BE, dhe se si Evropa është duke tërhequr më shumë investime për “hidrogjen të pastër” nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Më pas, ajo i ka falënderuar bujqit evropianë për “ofrimin e ushqimit çdo ditë” si dhe ka propozuar “dialog strategjik për të ardhmen e bujqësisë në bllokun evropian”. Në fund, ajo është zotuar për të investuar më shumë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, për ta mbrojtur industrinë evropiane nga konkurrenca e vendeve të treta.

Çfarë për politikën e jashtme?

Ndonëse Von der Leyen ka folur edhe për çështjet e lidhura me luftën në Ukrainë, ajo nuk është zgjatur shumë aty. Ajo pjesë më shumë është dukur sikurse ajo të kishte mbajtur shënim për tensionet në rritje në disa vende të BE-së për shkak të refugjatëve ukrainas.

“Ne do të jemi me Ukrainën në çdo hap. Për aq sa të ketë nevojë”, ka deklaruar ajo, teksa e ka përmendur se katër milionë ukrainas janë duke u strehuar në BE, dhe ata janë “të mirëpritur tani, sikurse në javët e para”.

Mes tjerash, ajo e ka përmendur se Komisioni Evropian do të propozojë zgjatjen e masave, të ashtuquajtura të përkohshme, për ukrainasit në BE, deri më 2025, duke u mundësuar refugjatëve qasje në strehim, kujdes shëndetësor dhe treg të punës. Ajo çfarë ka munguar: propozimet se si të veprohet me Rusinë. Nuk janë përmendur ide të reja për sanksione të BE-së. Për rundin e 12-të të sanksioneve që e shënjestrojnë Moskën nuk duket se ekziston gatishmëri. Nuk ekzistojnë propozime të reja, se si, për shembull, të konfiskohen asetet ruse që janë ngrirë nga blloku, apo si të dërgohen më shumë armë në Ukrainë.

Çfarë do të thotë kjo?

Sa i përket zgjerimit të BE-së, një temë që ka marrë shumë vëmendje në muajt e fundit, dhe pritet t’i dominojë diskutimet politike këtë vjeshtë, Von der Leyen ka qenë më e matur sesa presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, i cili në gusht ka thënë se BE-ja duhet të jetë gati për të pranuar anëtarë të rinj deri më 2030.Ajo nuk ka ofruar afate kohore. Mirëpo ka thënë se pranimi varet nga “merita” dhe që Komisioni Evropian do ta mbrojë gjithmonë këtë parim.

Ajo nuk ka folur për një BE me 33, 35 ose 37 anëtarë, mirëpo ka folur për 30 plus anëtarë. Kush mund të jetë në atë listë? Ajo ka thënë se “e ardhmja e Ukrainës është në BE, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor [Kosovës, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë] është në BE, e ardhmja e Moldavisë është në BE”. E qartë deri këtu. Mirëpo një deklarim tjetër ka qenë më intrigues.

“E di sa e rëndësishme është perspektiva evropiane për popullin e Gjeorgjisë”.

Nuk dihet saktë se çfarë ka dashur të thotë ajo, mirëpo ka marrë vëmendje deklarimi i saj, sepse ajo e ka përmendur popullin e Gjeorgjisë dhe jo qeverinë e këtij vendi. Por, ka edhe më keq. Turqia, vend kandidat për anëtarësim në BE, as që është përmendur në fjalim. Pyetja e madhe për muajt vijues është se si do të funksionojë zgjerimi. Shumë ide do të shtrohen në tavolinë, duke nisur nga grupet franceze e gjermane, të cilat më 19 shtator do t’i prezantojnë gjetjet e tyre se çfarë duhet të ndryshohet në BE, ashtu që të pranohen anëtarë të rinj.

Liderët e BE-së do t’i diskutojnë këto gjetje kur të mblidhen në qytetin spanjoll Granada më 6 tetor. Disa sugjerojnë se çfarë duhet të ndryshojë tashmë dihet. Për t’i përmendur disa: jo të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet ta kenë komisionarin e tyre evropian, blloku duhet të heqë dorë nga vota unanime në disa fusha, sikurse politika e jashtme dhe çështjet ekonomike, dhe duhet të ketë rritje të “abstenimit konstruktiv”, që nënkupton se vendet e BE-së mund të mos pajtohen për diçka, por nuk duhet ta bllokojnë marrjen e një vendimi.

Gati për kompromise deri për Krishtlindje

Nëse diçka dihet në Bashkimin Evropian është se vendimet më të vështira merren në dhjetor, më saktësisht në javën e fundit të punës, pak ditë para Festës së Krishtlindjes. “Tavolina e legjislativit” duhet të pastrohet para se të nisin festat, dhe këtë herë viti 2024 nis me fushatë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian që mbahen në qershor. Dhe kur vjen puna për Fqinjësinë Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, janë edhe disa gjëra që duhet qartësuar.

Cilat janë ato?

Fillimisht, ekziston një fond prej 20 miliardë eurosh për armët dhe pajisjet tjera ushtarake që duhet të dërgohen si ndihmë për Ukrainën në katër vjetët e ardhshëm. Në këtë fond duhet kontribuuar të gjitha vendet anëtare, varësisht prej shkallës së popullsisë. Më pas ekziston fondi prej 50 miliardë eurosh për rindërtim të Ukrainës, i cili duhet të jetë i qasshëm për Kievin në periudhën 2024- 2027. Këto para ndahen direkt prej buxhetit të BE-së, fond në të cilin duhet të kontribuojnë vendet anëtare.

Por, duke i lënë anash çështjet ekonomike, procesi i zgjerimit të BE-së do t’iu shkaktojë kokëdhimbje të gjithëve. Komisioni Evropian duhet ta prezantojë raportin vjetor të zgjerimit deri në fund tetorit, duke e vlerësuar përparimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Gjeorgjisë, Moldavisë, Turqisë dhe Ukrainës. Në këtë raport duhet dhënë edhe rekomandime për hapat e ardhshëm që duhet t’i marrë secili vend që ka status kandidati. Ka mundësi që diçka e tillë të shtyhet për nëntor, sipas disa burimeve diplomatike, pasi ende shumë çështje janë të patrajtuara.

Kjo nënkupton që mund të mos ekzistojë asnjë hap drejt zgjerimit deri në dhjetor. Kur vjen puna te paratë, duhet përmendur miliarda euro që Hungaria dëshiron t’i shfrytëzojë, por të cilat janë ngrirë nga Komisioni Evropian për shkak të shqetësimeve se fusha e sundimit të ligjit ka marrë kahe të kundërt në këtë vend. Disa vende anëtare kërkojnë që Brukseli të ketë qasje në të paktën një pjesë të fondeve. Por dihet, është sekret që nuk mbahet nga askush se, Hungaria më pas mund ta përdorë veton për të gjitha vendimet e lartcekura, derisa të ketë qasje në fondet e bllokuara.

Pra, mund të ketë bllokada në çdo vendim?

Shumica e burimeve diplomatike në Bruksel besojnë se 50 miliardë eurot për Kievin do të ndahen lehtë, pasi shumica pajtohen se duhet ndihmuar Ukrainën në këtë kohë të vështirë. Por, çështja kryesore është se Komisioni Evropian ka edhe fonde tjera në të cilat dëshiron të kontribuojnë vendet anëtare. Shembull, duhet mbledhur edhe 15 miliardë euro për politika të fqinjësisë, të cilat shkojnë te vendet që e rrethojnë bllokun, shembull në Afrikën e Veriut, me synimin e mbajtjes së emigrantëve larg kufijve të BE-së. Brukseli shpreson që Hungaria do të dorëzohet pasi është në hall të madh për të pasur qasje në fondet e ngrira të BE-së.

Prapëseprapë, diçka e tillë nuk ia pamundëson Hungarisë që të luajë rol në nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE, veprim që shumica e vendeve anëtare shpresojnë ta jetësojnë deri në fund të vitit. Më 2022, një prej shtatë kushteve që Komisioni Evropian ia ka dhënë Ukrainës për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së ka qenë përmirësimi i të drejtave për minoritetet kombëtare. Budapesti është i zjarrtë në këtë temë, duke e marrë parasysh minoritetin etnik hungarez në Ukrainë.

Për ta marrë dritën e gjelbër të Hungarisë për Ukrainën, Brukseli duhet të bëjë diçka për Budapestin. Kjo nënkupton që Gjeorgjia mund ta fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim – diçka me të cilën nuk pajtohen shumë vende, sidomos tri të Baltikut – dhe që Serbia t’i hapë kapitujt e radhës për anëtarësim. Serbia nuk ka hapur kapituj që dy vjet, për shkak të hezitimit të Beogradit për ta sanksionuar Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë. Dhe nuk është vetëm Hungaria që pritet të luajë rol në punën e zgjerimit.

Kroacia dhe Sllovenia kanë thënë shenja se nuk do duhej lënë në vend statusin e Bosnje-Hercegovinës derisa vendet tjera përparojnë. Kjo nënkupton shtytje për nisje të bisedimeve me Sarajevën, ndonëse jo të gjitha vendet mendojnë se Bosnja është gati për diçka të tillë. Çështje delikate është edhe ajo me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat i kanë hapur bisedimet për anëtarësim në korrik të vitit 2022.

Më pas është dashur të bëhet harmonizimi i politikave të këtyre vendeve me ato të BE-së; në nëntor ky proces duhet të përfundojë dhe në dhjetor duhet të nisin bisedimet me Brukselin. Problemi është që Maqedonia e Veriut ende nuk i ka votat e nevojshme për ndryshime kushtetuese – kërkesë kyçe e Bullgarisë. Disa besojnë se Shkupi nuk do të mund të finalizojë procesin këtë vjeshtë, duke i dhënë mundësi bllokut që të vendosë nëse duhet ecur përpara vetëm me Tiranën.

Sa i përket Turqisë, burimet diplomatike besojnë se BE-ja ka vullnet që të riangazhohet. Kjo nënkupton ringjallje të procesit të anëtarësimit pas shumë vjetëve ngecje për shkak të çështjeve të këtij vendi me Qipron dhe Greqinë. Megjithatë, ndonëse rëndësia strategjike e Turqisë për siguri dhe migrim, nuk është e diskutueshme, apetiti për nisje të bisedimeve me Ankaranë për zgjerim, nuk është aq i madh. Duhet përmendur se Turqia ende as nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Prandaj, mund të zhvillohen negociata jo fort të lakmueshme në mënyrë që ky vend të avancojë në rrugën drejt BE-së. /REL

 


Top Channel

You may also like