Çavuşoğlu: Duam të zhvillojmë bashkëpunimin tonë me Maqedoninë e Veriut në fushën e energjisë

by admin
Spread the love

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s (Turqise), Mevlüt Çavuşoğlu tha se dëshirojnë të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre me Maqedoninë e Veriut në fushën e energjisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu, pas takimit që zhvilloi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Türkiye-s në Ankara, me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.

Duke përmendur marrëdhëniet historike mes Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut, Çavuşoğlu tha se vlerat e përbashkëta, historia e rrënjosur dhe lidhjet njerëzore janë baza e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryediplomati turk rikujtoi se më 26 gusht do të kremtojnë 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke shtuar se me homologun e tij do të bëjnë deklaratë të përbashkët me rastin këtij kremtimi.

Çavuşoğlu tha se më 16 qershor do të vizitojë Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog që do të mbahet për herë të dytë këtë vit, duke shtuar se në takimin e sotëm kanë trajtuar me të gjitha dimensionet marrëdhëniet mes dy vendeve.

Duke folur lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut, kryediplomati turk tha se:

“Marrëdhëniet tona ekonomike janë në nivel të kënaqshëm, por jemi dakord që ende duhet të zhvillohen. Vëllimi ynë i tregtisë dypalëshe vitin e kaluar tregoi një rritje prej rreth 42 për qind dhe arriti në 772 milionë dollarë. I shohim shifrat e këtij viti, do të jenë rreth 900 milionë dollarë. Prandaj, jemi dakord që më së voni vitin e ardhshëm të rrisim në 1 miliard dollarë, por besojmë se në 5 vitet e ardhshme mund të arrijmë në një vëllim prej 2 miliardë dollarë. Për këtë ne po rishikojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë”.

Ai tha se do të vazhdojnë së bashku të inkurajojnë që kompanitë turke të investojnë më shumë në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se kanë rënë dakord për mbajtjen e një forumi biznesi në Stamboll këtë vit.

Çavuşoğlu theksoi se kompanitë turke në Maqedoninë e Veriut nuk kanë rritur vetëm investimet e tyre por se kanë marrë përsipër edhe projekte të rëndësishme, duke shtuar se investimet e këtyre kompanive në vend kanë arritur në 1,3 miliardë dollarë.

Duke thënë se dëshirojnë bashkëpunim mes Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e energjisë, Çavuşoğlu vuri në dukje vendimet e njëanshme të marra nga Rusia pas luftës në Ukrainë dhe sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Moskës.

“Nga vendet e Ballkanit, vendet tona fqinje, Bullgaria dhe Rumania, si dhe Hungaria, kemi marrë kërkesa për bashkëpunim në fushën e energjisë. Sot folëm edhe se si mund të bashkëpunojmë me Maqedoninë e Veriut në këtë kontekst dhe si mund të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve të vendeve mike. Ne duam të zhvillojmë bashkëpunimin tonë me Maqedoninë e Veriut në lidhje me energjinë”, tha ai.

Çavuşoğlu, mes tjerash theksoi se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka realizuar projekte shumë të rëndësishme zhvillimore në çdo rajon të Maqedonisë së Veriut pa asnjë diskriminim.

Çavuşoğlu tha se Türkiye ka përvojë serioze në fushën e ujit dhe dëshiron ta ndajë këtë përvojë me Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se Ndërmarrja Shtetërore e Ujit do të realizojë disa projekte në fushën e ujit në këtë vend.

Me homologun e tij, Çavuşoğlu tha se në takimin e sotëm kanë trajtuar edhe mundësinë për bashkëpunim në fushën e industrisë së mbrojtjes mes dy vendeve. “Industria turke e mbrojtjes me të vërtetë ka bërë një lëvizje të madhe në 10 vitet e fundit. Thamë se do të tregojmë ndjeshmëri për përmbushjen e nevojave të Maqedonisë së Veriut”, tha Çavuşoğlu.

Ai potencoi se ekziston një projekt-marrëveshje për siguri mes Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut dhe se ata duan të nënshkruajnë edhe këtë marrëveshje.

Kryediplomati turk gjithashtu tha se ka ndarë pritjet e Türkiye-s me Osmanin lidhur me luftën kundër organizatës terroriste FETO dhe organizatave tjera terroriste, duke theksuar se në çdo rast kanë thënë se FETO nuk është kërcënim vetëm ndaj Türkiye-s por edhe çdo vendi ku ndodhet.

– “Zhvillimet në Ballkan na shqetësojnë”

Duke folur lidhur me gjendjen në Ballkan, Çavuşoğlu tha se “Zhvillimet në Ballkan na shqetësojnë. Ka brishtësi. Maqedonia e Veriut luan një rol të rëndësishëm”.

Pas takimeve të këtij muaji në Maqedoninë e Veriut, Çavuşoğlu njoftoi se do të vizitojë edhe Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, ndërsa edhe presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, do të zhvillojë një vizitë në rajon. “Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ulur këtë tension dhe për ta bërë Ballkanin, Ballkanin Perëndimor, një rajon me stabilitet dhe zhvillim ekonomik”, u shpreh Çavuşoğlu.

Duke vënë në dukje se Maqedonia e Veriut në një periudhë të vështirë do të marrë përsipër presidencën e radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Çavuşoğlu theksoi se Türkiye do të mbështesë fuqishëm presidencën e Maqedonisë së Veriut, aktivitetet e saj në këtë kuadër si dhe prioritetet.

Çavuşoğlu rikujtoi se ka pasur një regjistrim të popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe se turqit kanë kundërshtuar këtë regjistrim dhe këto kundërshtime janë vlerësuar. Ai theksoi se të dyja palët ranë dakord se komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut përbën një urë të rëndësishme ndërmjet Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut.

Çavuşoğlu shtoi se mes Türkiye-s dhe Maqedonisë së Veriut ka marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe se ka vendosmëri të plotë për të zhvilluar këto marrëdhënie në të gjitha fushat.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth kritikave të politikanëve grekë ndaj Türkiye-s, kryediplomati turk rikujtoi pengesat që Greqia i ka vendosur rreth anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Ai tha se Maqedonia e Veriut si rezultati i këtyre negociatave ka ndryshuar emrin.

You may also like