Bytyqi: Nuk mendoj që do të ketë grevë të përgjithshme në DAP

by admin
Spread the love

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi është optimist se do të gjendet zgjidhje për të punësuarit në Drejtorinë e të Ardhurave Publike të cilët u kërcënuan me grevë të përgjithshme.

Në një deklaratë për mediat Bytyqi sot tha se është emëruar ndërmjetësues dhe se shpreson se nuk do të realizohet paralajmërimi për grevë të përgjithshme.

“Të punësuarit në DAP së bashku me Sindikatën javën e kaluar kërkuan një ndërmjetës. Ai është emëruar dhe kanë afat prej 10 ditësh për të gjetur zgjidhje. Jam optimist se do të gjendet zgjidhje dhe se masa e grevës së përgjithshme nuk duhet të ndodhë sepse besoj se kjo për të punësuarit në DAP, si dhe të gjithë të punësuarit e tjerë në sektorin publik paraqet dinjitet për vdendet e tyre të punës dhe pagat që i marrin ata. Jemi të gatshëm që të bisedojmë”, tha Bytyqi.

Të enjten, siç paralajmëroi, do të ketë mbledhje Këshilli Ekonomik – Social në të cilin do të shqyrtohet Marrëveshja e përgjithshme kolektive me metodologjinë e re.

“Një pjesë e zgjidhjes për të punësuarit në Drejtorinë e të Ardhurave Publike mendoj se qëndron pikërisht në atë zgjidhje”, tha Bytyqi, duke shtuar se sipas mendimit të tij nuk do të ketë situatë të grevës së përgjithshme në DAP.

I pyetur për atë se prej ku janë gjetur mjete për rritjen e pagave të ministrave në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Bytyqi tha se paratë janë siguruar me rialokimin e mjeteve.

“Numri i atyre që përfshihen në atë ndryshim nuk është aq i madh sa të deformojë funksionimin e shtetit dhe të buxhetit. Ekziston një vegël- rialokimi i fondeve që është përdorur deri më tani dhe veprohet në përputhje me rrethanat kur nevojiten mjete në llogaritë e tjera buxhetore”, tha Bytyqi.

Theksoi se po punohet në metodologjinë e re për pagat në sektorin publik dhe kur kjo do të përfshihet në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive do të vlejë për të gjitha strukturat në sektorin publik.

“Zgjidhja sistemore do të jetë për të gjithë. Sindikatat dolën në një vendim që metodologjia e re për të gjithë të punësuarit në sektorin publik të jetë paga mesatare e shumëzuar me koeficient, e njëjta metodologji që zbatohet për të zgjedhurit dhe të emëruarit. Ne thamë se e pranojmë atë metodologji dhe po punojmë për zgjidhjen sistemore. Kur ta bëjmë këtë në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive, do të zbatohet siç duhet në të gjitha strukturat e sektorit publik”, tha Bytyqi.

You may also like