Bytyqi: Nuk ka nevojë për rishikim të buxhetit për rritjet e paralajmëruara të rrogës minimale dhe pensioneve

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Nuk ka nevojë për rishikim për rritjet e paralajmëruara të rrogës minimale dhe pensioneve sepse për atë janë siguruar mjete, deklaroi sot zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Edhe për rrogën minimale edhe për pensionet nuk duhet të bëhet rishikim. Ato tashmë janë planifikuar në Buxhet. Për pensionet, Fondi i Sigurimit Pensional Invalidor të Maqedonisë (SPIM) ka siguruar mjete për rritje të mundshme. Nuk duhet të shqetësohemi se do të marrim nga diku për t’u dhënë pensionistëve. pensionistët janë të siguruar me atë që kanë mjaft mjete në Fondin e SPIM-it”, tha Bytyqi, duke u përjgigjur në pyetje të gazetarëve pas konferencës së sotme të përbashkët me ministrat e Ekonomisë dhe të Arsimit dhe Shkencës, Kreshnik Bekteshi dhe Jeton Shaqiri.

Deri në fund të javës pritet të fillojnë bisedimet me të gjitha palët e interesuara për rritje të pensioneve, ndërsa zëvendëskryeministri Bytyqi thotë se do ta zbatojnë parimin e njejtë të negociatave si edhe për rrogën minimale, përkatësisht do të bisedojnë me të gjitha palët me qëllim që të gjendet zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë.

“Këto ditë u koordinuam për të filluar dialog me të gjithë faktorët të cilët janë të prekur nga pensionet dhe me siguri nga fundi i javës do ta kemi takimin e parë në të cilin do të flitet nëse do të shkohet me ndërrim të metodologjisë apo ndihmë të njëfishtë e cila do të duhej të vijë drejt kategorive më të ndjeshme. Ajo që mund të them është se epilogu do të jetë i kënaqshëm për të gjitha palët e përfshira në dialog”, tha Bytyqi.

Lidhur me mendimet e disa ekspertëve se rritja e paralajmëruar e pensioneve do të kërkojë intervenim nga Buxheti, zëvendëskryeministri Bytyqi me porosi se raportet financiare të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor për vitin e kaluar tregojnë se ka rritje të konsiderueshme të të ardhurave.

 


You may also like