Bye Terry! – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Para pak ditësh Terry Hall, drejtuesi i grupit muzikor “Ska, “The Specials, ndërroi jetë në moshën 63-vjeçare.

Njoftimi për ndarjen nga jeta të ish-këngëtarit dhe themeluesit të Specials erdhi nga kanalet sociale të grupit: Me pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta, pas një sëmundjeje të shkurtër, të Terry-t, mikut tonë të mrekullueshëm, vëllait dhe një prej këngëtarëve, kompozitorëve dhe teksteshkruesve më të shkëlqyer që ka prodhuar ndonjëherë ky vend (duke iu referuar Britanisë së Madhe)”.

I njohur për imazhin e tij të ashpër dhe zgjuarsinë e mprehtë, këngëtari gjeti famë në vitet 1970 dhe 80’ me hite si “Ghost Town”, “Gangster” dhe “Too much too Young”.

Terry bashkëpunoi me artistë të famshëm si Amy Winehouse, Tricky(Massive Attack), Gorillaz e shumë të tjerë dhe frymëzoi një numër të madh grupesh punk, rock, reggae e ska, në mbarë botën. Tek e fundit, zhanre të tjera rrodhën më pas nga muzika Ska, kryesisht rocksteady, reggae dhe dub.

Kujtojmë për më të rinjtë se muzika Ska nuk është gjë tjetër veçse rezultat i një përzierjeje zhanresh dhe stilesh, që ka nxjerrë ritmin e saj nga ritmet e boogie dhe shuffle, të kombinuara me stile lokale xhamajkane si mento dhe burron. Ska u influencua gjithashtu nga jazz-i, blues-i dhe calypso.

Në një kohë të shkurtër, muzika Ska u bë muzika e parë popullore e Xhamajkës, në të vërtetë, u bë muzika e saj kombëtare, suksesi i së cilës përkoi me pavarësinë e Xhamajkës në vitin 1962.

Ndër të parët që krijoi ritmin Ska ishte Ernest Ranglin, Sipas legjendës një herë, duke provuar kitarat, Ernesti tha: “Bëni një ritëm tjetër, bëni kitarën të luajë kështu: Ska!, Ska!, Ska!”. …që ishte gjithashtu termi zhargon xhamajkan për “çun king”.

Rreth vitit 1962, që përkon me pavarësinë e Xhamajkës më 6 gusht të atij viti, Ska-ja (fillimisht e njohur si bluebeat) dhe rocksteady, së bashku me kulturën e djemve të vrazhdë Rude boys – zbarkuan në Angli në lagjet e klasës punëtore dhe në periferi, duke takuar nënkulturën Tjetër Mods.

Në vitin 1979, Ska u rikthye në modë dhe gëzoi një valë të re popullariteti jo vetëm në Angli, por edhe në pjesën tjetër të botës. Ndër grupet më të shquara të kësaj vale të dytë ishin pikërisht The Specials, por edhe Madness e Selecter.

Ato vite, më shumë se rrjete sociale e media që vendosnin kush të bëhej i famshëm me çdo kusht e në kohë rekord, e kush të bënte shumë para, duhet të kishte zë, të luante instrumente, e t’i buronte muzikë nga shpirti bashkë me energjinë rinore. Terry bashkë djemtë e grupit të tij rezultuan shpejt te ishin ‘’specialë’’ e trendsetters. Në muzikë, veshje e sjellje.

Grupi The Specials lindi nga takimi i kulturës muzikore xhamajkane, e cila mbërriti në Londër bashkë me emigrantët nga ishulli i Karaibeve, dhe vatrave të reja të ndezura nga punk-rock-u. Si gjithmonë në Angli, zhanri i ri muzikor, Ska, solli edhe një modë më vete: kostume të zeza dhe këmishë të bardhë me kravatë, këpucë që shkëlqenin dhe kapelë pork pie.

Festaxhinj e koshientë, teksa luanin muzikë të sinqertë e dëfreheshin vetë, spontanë e cinikë, the Specials i këndonin problemeve sociale e jepnin mesazhe të ‘’mençura’’ të rinjve edhe pak ‘’atmosferë plazhi’’ Anglisë së ‘’zymtë’’.

“Stop your fooling around
time you straighten right out
better think of your future
else you’Il wind up in jail”

(The Specials – “Message to you Rudy”)

Specialët, gjithashtu, dukej se i kishin qëndruar provës së kohës e tre vjet më parë, në 2019, publikuan albumin e tyre të fundit.

Përsëri nga njoftimi mbi vdekjen e tij: Muzikanti Terry Hall do të mbahet mend edhe si burrë dhe baba i mrekullueshëm”, por edhe si një shpirt xhentil, plot humor, që diti të derdhë në muzikën e tij “gëzim, dhimbje, humor, luftë për drejtësi, por mbi të gjitha dashuri”.

‘’DASHURI, DASHURI, DASHURI’’, formula me të cilën Terry mbylli të gjitha koncertet e tij me the Specials.

Bye Terry!

Përgatiti: Andi Qinami

You may also like